Zjarret në Gramsh, Skënderbegasi mbetet mes rrënojave dhe humbjeve

Aktualitet | 1 vit më parë

Zjarri i shkaktuar nga dora e njeriut në Skënderbegas të Gramshit ka lënë pas banesa të shkrumbuara, prodhime e bagëti të djegura, ndërsa dhjetëra familje kërkojnë ndihmë urgjente për të rifilluar jetën.

Flakët që shkrumbuan fshatin nuk ishin një fatkeqësi natyrore, por vepër nga dora e njeriut.

Ditën e sotme banorët kanë mbërritur në fshat për të parë jo vetëm banesat e tyre të humbura, por shkatërrimin e një jete, e ndezur nga papërgjegjshmëria dhe pakujdesia e dikujt. Çdo mur i nxirë është një plagë e hapur teksa çdo hap që hedh në hirin e zi është një kujtesë, që kur dora njeriut merr zjarr shkatërron jo vetëm dru dhe gurë, por edhe zemra.

Pas dy ditësh përpjekjesh, flakët janë shuar, por aroma e rëndë e djegies mbetet. Banorët e evakuuar u kthyen për të parë rrënojat e shtëpive të tyre.

Muret e nxira, çatitë e shembura dhe orenditë e shkrumbuara tregojnë dramën e këtyre familjeve te mbetur pa strehë dhe ushqim. Shumë prej tyre kërkojnë mes hirit ndonjë kujtim të shpëtuar.

Ata kërkojnë ndihmë nga shteti, pasi humbjet janë të mëdha: shtëpi, prodhime bujqësore dhe bagëti të djegura.

Bashkia Gramsh ka nisur kompensimin e fermerëve dhe inspektimet e dëmeve. Skënderbegasi është sot dëshmi e dhimbshme e pasojave të papërgjegjshmërisë njerëzore.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme