Kosova përmirëson raportet e lindshmëri-vdekshmërisë, rritje konstante e lindjeve nga muaji prill

Kosovë | 1 vit më parë

Faktorët socialë po ndikojnë që Kosova të shënojë rritje të vazhdueshme të lindshmërisë në muajt e fundit, pas një krize në këtë drejtim si pasojë edhe e emigrimit të popullsisë.

Të dhënat e Agjencisë së Statistikave tregojnë se në muajin qershor pati 2.544 lindje brenda dhe jashtë Kosovës, nga të cilat 1.338 meshkuj dhe 1.206 femra. Kjo rritje ishte 8 për qind më e lartë sesa në muajin maj.

Për vdekshmërinë gjatë qershorit, ndërkohë, rezulton se u regjistruan 902 raste brenda dhe jashtë Kosovës, nga të cilat 482 raste meshkujsh të ndarë nga jeta.

Krahasuar me muajt e kaluar, shifrat e qershorit janë pozitive, me lindje më të shumta nga muaji maj, kur pati 2.364 lindje dhe 897 raste vdekjesh, si edhe nga muaji prill, kur pati 2.113 lindje dhe raste vdekjesh brenda dhe jashtë Kosovës.

Dukuria e uljes së fertilitetit në Kosovë ka qenë e dukshme vitet e mëparshme, aq sa institucionet ndërkombëtare, si Programi për Popullsi dhe Zhvillim i Kombeve të Bashkuara, kanë kërkuar ndryshime politikash nga institucionet shtetërore e private për sa i përket edukimit e pushimit prindëror.

Sipas rezultateve të Regjistrimit të Popullsisë në vitin 2024, numri i popullsisë rezidente të regjistruar në Kosovë ishte 1.602.515, prej tyre 50.2% janë meshkuj dhe 49.8% femra. Krahasuar me të dhënat e vitit 2011, censi tregoi një rënie me rreth 137.310 banorë. Dy faktorët kryesorë për këtë janë konsideruar emigrimi i lartë dhe rënia e lindshmërisë.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme