Sezoni veror, fluks dhe radhë të gjata në pikën kufitare në Kakavijë

Pikat kufitare të Jugut të Shqipërisë po përballen me një fluks të shtuar të qytetarëve dhe automjeteve që hyjnë dhe dalin nga vendi, për shkak të sezonit turistik dhe lëvizjeve të shtetasve nga Greqia. Më e ngarkuara mbetet pika kufitare e Kakavijës, ku vetëm gjatë 24 orëve të fundit janë përpunuar mbi 13 mijë shtetas dhe rreth 4300 mjete.
Në orët e para të mëngjesit, fluksi ka qenë më i madh, kryesisht për shkak të mbërritjes së linjave të autobusëve nga Greqia. Aktualisht, autoritetet shqiptare të Policisë Kufitare operojnë me 7 sportele aktive, 4 në dalje dhe 3 në hyrje, ndërsa pala greke disponon vetëm 4 sportele, çka ka shkaktuar radhë të gjata.
Ndërsa Kakavija është më e ngarkuara, situata në pikën kufitare të Tre Urat në Përmet është shumë më e qetë. Gjatë 24 orëve të fundit, janë përpunuar vetëm 785 shtetas dhe 365 mjete, duke treguar një fluks më të ulët lëvizjeje.
Autoritetet e Policisë Kufitare shqiptare theksuan rëndësinë e bashkëpunimit me palën greke për të shmangur radhët dhe përshpejtuar procedurat.
Lezha dhe Shëngjini përballen me trafik të rënduar

Nga ana tjetër, trafiku është gjithashtu i rënduar në qarkun e Lezhës, ku rrugët kryesore që përshkojnë këtë zonë, veçanërisht segmenti Rrëshen–Milot dhe akset që lidhin Milotin me zonën turistike të Shëngjinit, janë përballur me bllokime të përkohshme dhe radhë
Një faktor shtesë që ka rënduar trafikun është mbyllja e urës së vjetër mbi lumin Mat, e cila ka kufizuar ndjeshëm qarkullimin e mjeteve në këtë aks të rëndësishëm për Lezhën.
Policia Rrugore është vendosur në disa pika kyçe të qarkut për të ndihmuar në menaxhimin dhe lehtësimin e lëvizjes.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




