Hekurudha Tiranë–Durrës, Balluku inspekton punimet: Gati në fillim të 2026-s, do të punojmë për kapacitetet njerëzore
Zëvendëskryeministrja dhe Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, ka inspektuar punimet për ndërtimin e stacioneve në linjën hekurudhore Tiranë-Rinas-Durrës, një projekt kyç për zhvillimin e infrastrukturës dhe transportit në Shqipëri.
Balluku theksoi se ky projekt ka hyrë në fazën e ndërtimit të stacioneve. Aktualisht, në 8 kantiere ka nisur puna, duke përfshirë stacionet në Durrës, Shkozet, Sukth, Vorë, Kashar, Epoka, Aeroportin e Tiranës dhe Terminalin e Transportit Publik në Tiranë.
Një nga risitë e këtij projekti është ndërtimi i stacionit të Epokës, që do të ofrojë mundësi të reja për studentët dhe përdoruesit e linjës.
“Kemi hyrë në fazën e ndërtimit të stacioneve, që e sjell këtë projekt më afër përfundimit të tij. Në 8 kantiere ka nisur puna: në Durrës–Shkozet–Sukth–Vorë–Kashar–Epoka–Aeroporti i Tiranës dhe Terminali i Transportit Publik Tiranë. Stacioni Epoka është i ri për të krijuar lehtësira për studentët. Gjatë 2026 do i japim jetë edhe projekteve të reja. Kjo hekurudhë do mbajë një pjesë të projekteve zhvilluese gjithashtu.
Këtu kemi edhe Hekurudhën e Kombit, që është mes Kosovës dhe Shqipërisë, që ka në qendër Durrësin. Bëhet fjalë për zhvillimin ekonomik që lidhet me portin e ri në Porto-Romano. Do fillojmë menjëherë ndërtimin e hekurudhës për Aeroportin Ndërkombëtar të Vlorës dhe do rehabilitojmë segmentin nga Rrogozhina në drejtim të Fierit, dhe nga rafineria drejt aeroportit të Vlorës”, tha Balluku.
Zv.kryeministrja Balluku po ashtu njoftoi se deri në vitin 2026 do të përfundojnë edhe disa projekte të tjera të rëndësishme, duke përfshirë zhvillimin e hekurudhës për Aeroportin Ndërkombëtar të Vlorës, që do e lidhë qytetin me aeroportin, dhe do të rehabilitohet segmenti nga Rrogozhina në Fier.
Në kuadër të këtij projekti, Balluku nënvizoi rëndësinë e zhvillimit të kapaciteteve njerëzore për këtë industri.
“Ne përgatitemi ta dorëzojmë si vepër brenda 3-mujorit të parë të 2026-ës dhe pastaj vijojmë me elektrifikimin me financim nga BERZH. Paralelisht duhet të punojmë më ngritjen e kapaciteteve njerëzore, me djem e vajza të reja që do të futen në këtë proces duke u trajnuar dhe duke u kthyer më pas në asete të vlefshme për sektorin e hekurudhave në vend”, tha Balluku.
Ky projekt është pjesë e një iniciative më të gjerë për zhvillimin e infrastrukturës hekurudhore në vend, që përfshin gjithashtu hekurudhën e Kombit, e cila do të lidh Shqipërinë me Kosovën.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




