Vatra të reja murtaje tek të imtat në Korçë, asgjësohen 450 krerë bagëti në tre fshatra

Aktualitet | 1 vit më parë

Shënohen tri raste të tjera me murtajën e të imtave në qarkun e Korçës.

Lajmi bëhet i ditur nga përgjegjësi i Shërbimit Veterinar të qarkut Korçë, Demir Latollari, i cili tha se janë evidentuar së fundmi tri ferma me këtë sëmundje në fshatin Shuec të bashkisë së Devollit, në Shkozë të Maliqit dhe në Belorta të bashkisë Korçë.

Ai thotë se vatrat janë izoluar dhe është në proces monitorimi në një rreze prej tre kilometrash nga këto vatra.

“Është izoluar sëmundja vetëm në fermat ku është shfaqur. Nuk ka kaluar në ferma të tjera. Janë marrë masat ekstreme përmes eliminimit. Aktualisht janë eliminuar rreth 450 krerë të imta.

Gjendja paraqitet e qetë. Rasti i fundit ishte në fshatin Belorta para 12 ditësh. U eliminuan 46 krerë dhi. Kemi marrë mostra në të tëra fermat që mbarështojnë të imta në rrezen trekilometërshe. Janë 23 ferma në zonën e Belortasë. Mostrat e marra para 10 ditësh dolën të gjitha negative dhe sot nis faza e dytë. Kemi një rast të dyshimtë në Shuec, të cilin jemi duke e monitoruar,” thotë z. Latollari.

Situata ndërkohë do të jetë në monitorim të vazhdueshëm nga Shërbimi Veterinar.

Gazetare: Geralda Manushi

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme