Partia Demokratike kërkon dëmshpërblim për dëmet nga zjarret, Zhupa: Banorët të mos mbahen me premtime boshe

Deputetja e Partisë Demokratike, Ina Zhupa, i ka dërguar një kërkesë zyrtare Ministrisë së Brendshme dhe asaj të Mbrojtjes për të marrë masa urgjente pas dëmeve të mëdha të shkaktuara nga zjarret në disa bashki të Vlorës, duke përfshirë Delvinën, Finiqin dhe Konispolin.
Në kërkesën e saj, Zhupa kërkon ngritjen e menjëhershme të një grupi të përbashkët pune me përfaqësues nga ministritë dhe bashkitë e prekura. Qëllimi është që ky grup të evidentojë në mënyrë të shpejtë dhe të saktë dëmet që kanë pësuar banorët.
Ajo thekson se “zjarret kanë shkaktuar dëme kolosale, duke djegur shtëpi, toka, prodhime bujqësore, ullishte dhe bagëti, duke e bërë jetesën të pamundur për shumë familje”.
Për këtë arsye, Zhupa kërkon që dëmshpërblimi për banorët të jetë i plotë dhe i bazuar në çmimet e tregut.
Sipas deputetes, ligji “Për mbrojtjen civile” e parashikon që institucionet qendrore duhet të marrin përgjegjësi në raste të tilla, sidomos kur buxhetet e bashkive janë të pamjaftueshme. Ajo bëri thirrje që procesi të mos vonohet dhe që banorët të mos mbahen me “premtime boshe”.
Zhupa shprehu gjithashtu gatishmërinë e Partisë Demokratike për të bashkëpunuar në këtë proces dhe për të votuar çdo vendim që shkon në shërbim të dëmshpërblimit të shpejtë dhe të plotë të familjeve të prekura.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




