Ura e Milotit drejt rihapjes së pjesshme, pas dëmtimeve serioze

Autoriteti Rrugor Shqiptar (ARRSH) ka njoftuar se, në bashkëpunim me Universitetin Politeknik të Tiranës, ka përfunduar hartimin e një projekti për ndërhyrje emergjente në Urën Auto-Hekurudhore të Milotit. Ky projekt synon të lejojë rihapjen e shpejtë të urës për mjetet me peshë deri në 3.5 ton, ndërsa ARRSH po përgatitet të shpallë një procedurë të përshpejtuar tenderimi brenda kësaj jave.
Ura, me një gjatësi prej 788 metrash, u mbyll plotësisht më 25 korrik për shkak të dëmtimeve serioze që kërcënonin sigurinë e kalimit. Sipas ekspertizës teknike, dëmtimet e konsiderueshme në themelet mbështetëse janë shkaktuar nga erozioni i theksuar në bazamentin e urës dhe shfrytëzimi i pakontrolluar i zhavorrit të lumit.
ARRSH thekson se mbyllja e përkohshme ishte një masë e domosdoshme, sidomos në një periudhë me trafik të rënduar si sezoni veror, për të shmangur rreziqe më të mëdha. Për të lehtësuar qarkullimin, qytetarëve u janë rekomanduar rrugë alternative si Rruga kryesore Lezhë – Milot dhe Rruga e Kombit.
Ndërkohë, Autoritetit Rrugor Shqiptar ka parashikuar edhe një zgjidhje afatgjatë. Si pjesë e programit strategjik “100 Ura”, i mbështetur nga Banka Botërore, planifikohet ndërtimi i një ure krejtësisht të re në Milot.
Ura e Milotit, e ndërtuar në vitin 1981, ka qenë një vepër inxhinierike e rëndësishme për vendin, duke u shquar si ura më e gjatë e ndërtuar deri në atë kohë. Me një gjatësi prej 788 metrash dhe 33 hapësira, ajo ka shërbyer si një nyje kyçe për transportin hekurudhor dhe rrugor, duke lidhur veriun me qendrën e Shqipërisë.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



