14 turistë të huaj bllokohen në Kanionin e Langaricës, shpëtohen nga policia e Përmetit

Katërmbëdhjetë turistë, shtetas francezë dhe gjermanë, kanë mbetur të bllokuar në kanionin e Langaricës për shkak të reshjeve të rrëmbyeshme të shiut. Ata u shpëtuan me sukses falë ndërhyrjes së shpejtë dhe profesionale të shërbimeve të Policisë, zjarrfikësve dhe strukturave të tjera të shpëtimit.
Ngjarja ndodhi në vendin e njohur si “Ura e Dashit”, ku turistët, ndërsa po eksploronin zonën në këmbë, u gjendën të bllokuar pasi niveli i ujit në lumin e Langaricës u rrit ndjeshëm. Menjëherë pas marrjes së njoftimit, shërbimet e Komisariatit të Policisë së Përmetit u koordinuan me zjarrfikësit dhe agjencitë e zonave të mbrojtura për të organizuar operacionin e shpëtimit.
Operacioni u zhvillua në kohë rekord, duke bërë të mundur nxjerrjen e të gjithë turistëve në siguri të plotë. Policia e Gjirokastrës ka bërë të ditur se turistët janë në gjendje të mirë shëndetësore. Ata shprehën mirënjohjen e tyre të thellë për përkushtimin dhe humanizmin e treguar nga ekipet e shpëtimit.
Në fund të njoftimit, Policia e Gjirokastrës theksoi angazhimin e saj maksimal në shërbim të qytetarëve dhe vizitorëve, duke i ftuar të gjithë të telefonojnë në numrin pa pagesë 112 për çdo rast nevoje. Ky aksion shpëtimi shërben si një shembull i shkëlqyer i gatishmërisë dhe bashkëpunimit ndërinstitucional në situata emergjence.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.








