Rriten eksportet. Udhëheqin mineralet dhe energjia elektrike, pëson rënie ndërtimi dhe metalet
Shqipëria vazhdon ta mbështesë tregtinë e saj të jashtme tek Bashkimi Evropian, ku shkëmbimet me vendet e BE-së zënë mbi gjysmën e qarkullimit total tregtar.
Pesë partnerët kryesorë globalë të Shqipërisë janë Italia, Kina, Greqia, Turqia dhe Gjermania, me Italinë që mban peshën më të madhe si në eksporte, ashtu edhe në importe.
Në korrik 2025, eksportet drejt vendeve të BE-së përbënin 67,4 për qind të totalit, ndërsa importet nga BE arrinin në 49,9 për qind. Vetëm Italia zinte rreth një të katërtën e shkëmbimeve tregtare, ndërkohë që Greqia dhe Gjermania mbeten gjithashtu partnerë të rëndësishëm për Shqipërinë.
Në këtë muaj, eksportet shqiptare arritën në 35 miliardë lekë, duke u rritur me 5,7 për qind krahasuar me një vit më parë, të udhëhequra kryesisht nga mineralet, lëndët djegëse dhe energjia elektrike. Importet ranë me 2,4 për qind dhe zbritën në 83 miliardë lekë, duke sjellë një deficit tregtar prej 48 miliardë lekësh, 7,5 për qind më të ulët se në korrik 2024.
Në shtatëmujorin e parë të vitit, eksportet arritën 239 miliardë lekë, ndërsa importet 515 miliardë lekë, duke sjellë një ulje të deficitit tregtar me gati 6 për qind. Përtej BE-së, rritje të ndjeshme të eksporteve u shënuan drejt Kosovës, me 72,5 për qind, ndërsa në importe u veçuan rritjet nga Turqia dhe Kina.
Gazetar: Omer Saraçi
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




