Mungesa e ujit në Nartë, banorët protestojnë dhe kërkojnë zgjidhje urgjente
Banorët e Nartës në Vlorë u mblodhën në sheshin para kishës së fshatit për të protestuar ndaj situatës së rënduar me mungesën e ujit të pijshëm. Ata tregojnë se prej tre muajsh uji vjen vetëm pesë minuta në mëngjes dhe pesë minuta pasdite.
“Narta mbytesh në ujë, ishim 6 mijë frymë. Tani në 2025 nuk kemi një pikë uji”.
“Paguhet uji dhe ujë nuk ka”.
“Shtete e Azisë, sidomos Izraeli, marrin ujin e detit dhe e kthejnë në ujë të pijshëm. Kurse neve ujin e pijshëm e hedhim në det”, u shprehën disa nga banorët.
Për shkak të mungesë, banorët detyrohen të marrin ujin pranë varrezave, aty ku ai shpërndahet vetëm dy herë në ditë.
“Në orën 6 deri 6:30 dhe pastaj mbaron uji, ndërkohë që në radhë është i gjithë fshati”, tha një banorë.
Banorët i janë drejtuar Bashkisë së Vlorës, Prefekturës dhe Ujësjellësit, për zgjidhje ndërsa paralajmërojnë se do t’i kërkojnë ndërhyrje edhe Kryeministrit. Nuk është hera e parë që banorët protestojnë. Vetëm dy muaj më parë, Ujësjellësi premtoi furnizim me autobot dhe zgjidhje të menjëhershme, por situata mbete e njëjtë.
“U vunë sahatet që të vijë ujë dhe të paguajmë. Kam 15 ditë këtu dhe asnjë pikë ujë”, tha një banore.
Banorët e Nartës thonë se nuk do të tërhiqen, derisa fshati të ketë furnizim të rregullt me ujë të pijshëm.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




