Penguan qarkullimin me parkim dysh, në dy javë Policia Rrugore procedon penalisht 77 drejtues mjetesh

Aktualitet | 1 vit më parë

Brenda dy javësh, efektivët e Policisë Rrugore ka konstatuar 77 raste të automjeteve që pengojnë qarkullimin, duke u parkuar dysh në rrugët e Tiranës.

Drejtuesit e tyre janë proceduar penalisht, ndërsa automjetet janë tërhequr me mjet ngritës, karroatrec.

Në një tjetër rast, efektivët kanë ndërhyrë për heqjen e xhamave të zinj nga mjetet, pasi drejtuesit nuk kishin marrë lejen përkatëse.

Të gjitha këto veprime janë ndërmarrë në kuadër të monitorimit të akseve rrugore, duke përdorur dronë, radarë, kamera, makina inteligjente dhe patrulla me mjete të pasigluara.

Gjashtëdhjetë e gjashtë drejtues mjetesh janë arrestuar ose proceduar penalisht për drejtim mjeti në gjendje të dehur, për drejtim mjeti pa leje drejtimi apo shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor.

Pesë drejtues janë proceduar penalisht, pasi tentuan të korruptonin punonjësit e Policisë Rrugore me qëllim shmangien e përgjegjësisë penale.

Nga ana tjetër, janë kapur 3 persona të shpallur në kërkim, 108 automjete janë bllokuar për shkelje të ndryshme rrugore, janë pezulluar 53 leje drejtimi ndërsa janë evidentuar 33 raste të automjeteve që kryejnë transport publik në mënyrë të kundërligjshme.

Policia Rrugore thotë se qëllimi i kontrolleve është parandalimi i aksidenteve dhe garantimi i sigurisë rrugore si dhe ulja e ndotjes akustike nga automjetet që krijojnë zhurma përmes modifikimeve të paligjshme. Policia apelon për respektim rigoroz të rregullave të qarkullimit rrugor nga të gjithë përdoruesit e rrugës.

Gazetare: Flutura Tota

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme