Rritet numri i tatimpaguesve: ndikuan lufta ndaj evazionit fiskal, digjitalizimi dhe lehtësimi i procedurave tatimore
Sipas të dhënave të publikuara nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2024 janë regjistruar 2.138 tatimpagues më shumë.
Paralelisht, vetëm në muajin qershor 2025 janë deklaruar 14.770 punonjës shtesë krahasuar me qershorin e vitit të kaluar.
Këto shifra konsiderohen një tregues i qartë i rritjes së formalizimit të tregut të punës dhe përmirësimit të disiplinës fiskale.
Ndër faktorët kryesorë që kanë ndikuar në këtë zhvillim janë rritja e kontrolleve dhe zbatimi më i rreptë i ligjit ndaj subjekteve që ushtrojnë evazion fiskal, çka ka bërë që sipërmarrjet të orientohen drejt respektimit të detyrimeve ligjore.
Po ashtu, digjitalizimi i procedurave tatimore ka lehtësuar regjistrimin dhe raportimin, duke reduktuar burokracinë dhe kostot administrative.
Një tjetër element që ka ndikuar është rritja e ndërgjegjësimit të bizneseve mbi përfitimet afatgjata të formalizimit, si qasja më e lehtë në kredi apo përfshirja në kontrata publike.
Zgjerimi i numrit të tatimpaguesve dhe punonjësve të deklaruar shihet jo vetëm si rezultat i politikave fiskale, por edhe si një sinjal pozitiv për ecurinë e ekonomisë shqiptare.
Gazetar: Omer Saraçi
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




