Aksioni për hapësirat publike, Rama: Do të vazhdohet me lirimin e çdo trotuari për qytetarët

Aktualitet | 1 vit më parë

Kryeministri Edi Rama ndau në mediet e tij sociale pamje të ndërhyrjeve për lirimin e hapësirave publike të zëna padrejtësisht përgjatë rrugëve të qyteteve apo akseve kombëtare.

Këtë herë me pamje nga Durrësi, ku vërehet ndërhyrja për prishjen e strukturave të paligjshme, që prej vitesh kanë zaptuar rrugë dhe trotuare.

Aksioni për lirimin e trotuareve nga shtesa apo objekte pa leje nisi fillimisht me Tiranën, por kryeministri ka siguruar se ai do të shtrihet në të gjithë territorin e vendit. Sipas tij, Rilindja Urbane 2.0 nuk do të tolerojë asnjë individ apo subjekt që cenon cilësinë e jetës së qytetarëve, duke zaptuar hapësira publike.

Në shërbim të kësaj, qeveria u ka dhënë mundësi qytetarëve që të denoncojnë në konfidencialitet rastet e abuzimeve me hapësirat publike, duke garantuar se nuk do të tolerohet askush.

Aksioni është shtrirë në të gjitha bashkitë e vendit, ku qytetarët janë ftuar që vullnetarisht të lirojnë hapësirat publike, dhe në rastet kur nuk veprojnë vullnetarisht, atëherë kanë ndërhyrë strukturat shtetërore.

Rilindja Urbane 2.0 parashikon edhe lirimin e hapësirave në akset e rrugëve kombëtare, ku subjektet janë ftuar që të zbatojnë ligjin. Në të kundërt, do të jenë objekt i ndëshkimit dhe prishjes së strukturave të zaptuara në kundërshtim me ligjin.

Gazetare: Denada Shkodrani

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme