Izraeli miraton planin e vendbanimeve për të “fshirë” idenë e shtetit palestinez

Botë | 1 vit më parë

Izraeli ka dhënë miratimin përfundimtar për një projekt shumë të debatueshëm të ndërtimit të vendbanimeve në zonën E1, në lindje të Jerusalemit, që sipas palestinezëve dhe grupeve të të drejtave të njeriut do të ndajë Bregun Perëndimor në dy pjesë dhe do të shkatërrojë shpresat për krijimin e një shteti të ardhshëm palestinez.

Zhvillimi i kësaj zone është diskutuar për më shumë se 20 vjet, por ishte ngrirë për shkak të kundërshtimit të fortë nga Shtetet e Bashkuara dhe presionit ndërkombëtar. Komuniteti global e konsideron ndërtimin e vendbanimeve izraelite në Bregun Perëndimor si të paligjshëm dhe si një pengesë madhore për paqen në rajon.

Ministri izraelit i Financave, Bezalel Smotrich, e përshëndeti vendimin duke e quajtur “një përgjigje të qartë ndaj vendeve perëndimore” që kohët e fundit njoftuan planet për të njohur shtetin palestinez.

“Shteti palestinez po fshihet nga tryeza e bisedimeve jo me slogane, por me veprime. Çdo vendbanim, çdo lagje, çdo njësi banimi është një tjetër gozhdë në arkivolin e kësaj ideje të rrezikshme”, tha ai.

Kryeministri Benjamin Netanyahu, i cili ka refuzuar vazhdimisht opsionin e një shteti palestinez përkrah Izraelit, është zotuar të mbajë kontroll të plotë mbi Bregun Perëndimor të pushtuar, Jerusalemin Lindor të aneksuar dhe Rripin e Gazës të shkatërruar nga lufta. Këto janë territoret e pushtuara nga Izraeli në luftën e vitit 1967, të cilat palestinezët i kërkojnë për shtetin e tyre të ardhshëm.

Ndërkohë, realiteti në terren për palestinezët në Bregun Perëndimor po bëhet gjithnjë e më i vështirë. Përveç zgjerimit të vendbanimeve, janë shtuar ndjeshëm sulmet e kolonëve izraelitë ndaj civilëve palestinezë, operacionet ushtarake, dëbimet nga qytetet palestineze, si edhe kufizimet e rënda të lirisë së lëvizjes përmes pikave të shumta të kontrollit.

Sipas të dhënave, më shumë se 700,000 kolonë izraelitë jetojnë aktualisht në Bregun Perëndimor dhe Jerusalemin Lindor.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme