Rama sulmon sërish vendimin e gjyqtarit Balliu: Nuk i janë dashur as 10 minuta për të dalë kundër interesave të shtetit dhe në krah të pallatit pa leje

Aktualitet | 1 vit më parë

Kryeministri Edi Rama ka reaguar sërish ashpër ndaj vendimit të fundit të Gjykatës Administrative të Tiranës, duke akuzuar gjyqtarin Hazbi Balliu se po mbron interesat e ndërtuesve të paligjshëm. Debati ka nisur pas vendimit të gjyqtarit për të pezulluar kalimin në përdorim të një pallati të sekuestruar në favor të Agjencisë Shtetërore të Kadastrës (ASHK).

Në një postim në rrjetet sociale, Rama shkroi se gjyqtarit Balliu i janë dashur “as 10 minuta” për të marrë vendimin dhe për t’u dalë kundër interesave të shtetit.

“Materialet që institucionet i vunë në dispozicion Balliut duan shumë më tepër se 9 minuta të lexohen, por natyrisht që gjykatësi as nuk i ka lexuar sepse i ka mjaftuar fakti që në godinën e vjetër të ASHK, e cila është bërë e pasigurtë nga tërmeti nuk ka pasur asnjë viktimë dhe kësisoj puna sipas tij mund të vazhdonte nën tavanët që binin, ndërsa pallatin pa leje shohim e bëjmë”, shkroi Rama, duke sjellë edhe faksimile të kohës që ka zgjatur seanca.

Kryeministri theksoi se vendimi i gjyqtarit injoron faktin që ndërtesa e vjetër e ASHK-së, e dëmtuar nga tërmeti i vitit 2019, është e pasigurt për punonjësit.

“Natyrshëm që gjykatësi as nuk i ka lexuar [materialet], sepse i ka mjaftuar fakti që në godinën e vjetër të ASHK-së… nuk ka pasur asnjë viktimë,” shkruan Rama.

Arsyetimi i Gjykatës dhe kundërpërgjigja e Ramës

Gjyqtari Balliu, në arsyetimin e vendimit të tij, shpjegon se “nuk cenohet rëndë interesi publik” nëse pezullohet vendimi i Komisionit të Objekteve të Konfiskuara. Ai argumenton se ASHK ka funksionuar në të njëjtën godinë për katër vite rresht dhe se nuk ka prova që shërbimi nuk mund të vazhdojë në kushtet ekzistuese. Sipas gjyqtarit, vetë ASHK-ja nuk ka provuar se pallati i sekuestruar është e vetmja alternativë për t’u sistemuar, duke sugjeruar se shteti mund të përdorë edhe godina të tjera të konfiskuara.

Kryeministri Rama e cilësoi këtë arsyetim si skandaloz. Ai pyet në mënyrë retorike se si mundet një gjyqtar të shkruajë se punonjësit e ASHK-së mund të vazhdojnë punën në një godinë “ku bien tavanet e muret”. Rama paralajmëroi se sjellja e gjyqësorit si kjo mund të rrezikojë besueshmërinë e vetë Reformës në Drejtësi.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme