Dëmet nga zjarret – Në Gjirokastër janë djegur 685 hektarë kryesisht barishte e shkurre, pak pyje
Zjarret problematike, të cilat kanë prekur pothuajse gjithë vendin, nuk munguan as në bashkinë e Gjirokastrës.
Disa vatra zjarre u shënuan në territorin e saj, duke sjellë dëme të konsiderueshme. Autoritetet vendore dhe strukturat e emergjencave civile kanë qenë në terren për menaxhimin e situatës dhe parandalimin e përhapjes së flakëve, ndërsa aktualisht situata është qetësuar.
“Janë djegur rreth 685 ha në total në bashkinë Gjirokastër, kryesisht barishte e shkurre, dhe pak pyje në zonën e Skërficës, që është zonë e mbrojtur. Në Sopot u dogj një sipërfaqe e papërfillshme rreth 2 ha dhe në fillim të muajit, në zonën e Plesatit u dogj një sipërfaqe rreth 23 ha,” thotë Ilir Çumaku, përgjegjës i Emergjencave Civile në bashki.
Zjarret nuk janë vetëm një rrezik natyror, por një sfidë që kërkon vëmendje dhe përgjegjësi nga secili prej nesh.
Parandalimi, ndërgjegjësimi dhe koordinimi i institucioneve dhe qytetarëve janë thelbësorë për të mbrojtur jetët, pronat dhe mjedisin tonë.
Gazetare: Enkeleda Domeri
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




