Kukës – Regjistrimi i fëmijëve të lindur jashtë, shfrytëzohen pushimet verore. 100 regjistrime vetëm gjatë verës
Gjatë sezonit veror, Zyra e Gjendjes Civile në Kukës përballet me një rritje të ndjeshme të kërkesave për shërbime.
Shumë emigrantë që kthehen për pushime në atdhe përfitojnë nga koha e tyre për të kryer procedura të ndryshme ligjore dhe administrative, kryesisht të lidhura me regjistrimin e fëmijëve dhe aplikimet për dokumentacion.
“Është shtuar numri i emigrantëve në qytetin e Kukësit, njëkohësisht edhe i shërbimit të regjistrimit të fëmijëve, që e kanë lënë për arsye të kohës. Kanë aplikuar edhe për dokumente biometrike,” tha Ervin Spahiu, drejtor i Zyrës së Gjendjes Civile të Kukësit.
Ai bëri të ditur se vetëm gjatë sezonit veror janë kryer mbi 100 regjistrime të fëmijëve.
“Janë emigrantë që kanë lindur fëmijë në shtetin ku jetojnë dhe kanë gjetur kohën e pushimeve për t’i regjistruar në Zyrën e Gjendjes Civile,” u shpreh z. Spahiu.
Në të njëjtën periudhë, sipas të dhënave të Bashkisë, janë regjistruar gjithsej 136 lindje në tre muajt e fundit, duke treguar kështu fluksin e lartë të shërbimeve në këtë sektor.
Pas përfundimit të pushimeve verore dhe largimit të emigrantëve, numri i kërkesave për shërbime bie ndjeshëm, duke iu rikthyer ritmit normal të përditshëm.
Gazetar: Dashmir Shehu
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




