Berisha denoncon se Daniel Shima u rrëmbye: Ish-zyrtari në qendër të ciklonit të interesave mafioze

Aktualitet | 1 vit më parë

Për kryedemokratin Sali Berisha, ish-zëvendësdrejtori i AKSHI-t, Daniel Shima, u rrëmbye për disa orë dhe se arsyeja që ai mbeti gjallë është vetëm mesazhi drejtuar partneres së tij, ku i bënte me dije se po e arrestonin.

“Përfundoi në bodrumet e Suel Çelës apo në tunelet e Dajtit të Surrelit, këtë të vërtetë nuk mund ta themi me siguri. Por një gjë është absolute e sigurt, se ai u rrëmbye. Dhe se ai shpëtoi i gjallë falë atij instinkti që e shtyu t’i bënte një mesazh, një SOS, partneres së tij. Përndryshe do kishim skena si ajo e Jan Prengës ose zhdukje si ajo e Ervis Martinit që nuk gjendet edhe sot e kësaj dite pa nam dhe nishan,” tha kreu i Partisë Demokratike.

Berisha akuzoi Policinë e Shtetit për mashtrim me rastin e Shimës.

“Policia mashtroi paturpësisht. Ishte në jug, tha. Policia kishte të gjitha mundësitë në qoftë se policia e lokalizoi atë tek Qyteti Studenti, por pastaj u tha hiqni dorë nga kjo, çojeni në Elbasan. Hajdeni merreni vesh tani se ku,” deklaroi ai.

Për kreun demokrat, Daniel Shima është një person i planifikuar për t’u vrarë si pasojë e një akti të terrorizmit shtetëror, për shkak të aferave korruptive në institucionin ku ai punonte tashmë është kërcënuar për të mos treguar.

“Ky për disa orë u mbajt peng në një bodrum mafie, vrasësish serialë, në të cilën atij iu mbyll goja… E ka qepur gojën njëlloj si Lefteri, i cili pas kërcënimit që i bëri Poja, pret me durim dajak pas dajaku, akuzë pas akuze dhe nuk u thotë shqiptarëve të vërtetën,” tha kryedemokrati.

Berisha i shtroi kryeministrit katër pyetje publike për Shimën, duke i kërkuar arsyet përse ai ishte kërcënuar më parë me jetë, një denoncim publik që e ka bërë edhe ish-zëvendëskryeministri Arben Ahmetaj.

Gazetare: Anisa Kadesha

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme