Lista Serbe nuk certifikohet në zgjedhjet lokale, OSBE: Përjashtimi minon pluralizmin demokratik

Kosovë | 1 vit më parë

Misioni i OSBE-së në Kosovë ka reaguar pas vendimit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për të mos certifikuar Listën Serbe në zgjedhjet e 12 tetorit.

Në një deklaratë, OSBE thekson se e drejta për të marrë pjesë në zgjedhje të lira dhe të ndershme është gur themeli i qeverisjes demokratike dhe një element i domosdoshëm i jetës politike gjithëpërfshirëse.

Sipas misionit, përjashtimi i aktorëve politikë dëmton pluralizmin demokratik, dobëson besimin e qytetarëve te institucionet dhe kufizon përfaqësimin e drejtë të komuniteteve në Kosovë.

“Misioni i OSBE-së në Kosovë riafirmon se e drejta për të marrë pjesë në zgjedhje të lira dhe të ndershme është një gur themeli i qeverisjes demokratike dhe një element thelbësor i jetës politike gjithëpërfshirëse. Komisioni Qendror Zgjedhor ka luajtur një rol kyç në nxitjen e standardeve zgjedhore në Kosovë për shumë vite. Përjashtimi i aktorëve politikë minon pluralizmin demokratik, dobëson besimin në institucione dhe zvogëlon mundësitë që të gjitha komunitetet të përfaqësohen në mënyrë të drejtë.

Misioni thekson se pjesëmarrja e plotë dhe e vërtetë e të gjitha komuniteteve në procesin zgjedhor është thelbësore për qëndrueshmërinë, integritetin dhe stabilitetin demokratik afatgjatë. Misioni do të vazhdojë të monitorojë nga afër situatën, duke përfshirë procedurat pasuese ligjore që mund të zhvillohen përmes Panelit të Ankesave dhe Parashtresave Zgjedhore (ECAP) në përgjigje të vendimit për të mos certifikuar Listën Serbe”, thuhet në deklaratën e OSBE-së.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në Kosovë nuk certifikoi Listën Serbe për pjesëmarrje në zgjedhjet lokale të 12 tetorit, ku kundërshtimi kryesor erdhi nga përfaqësuesit e Lëvizjes Vetëvendosje, të cilët deklaruan se disa kandidatë të Listës Serbe janë nën hetime për sulme në Kosovë dhe se kjo parti ka “trashëgimi terroriste”.

Gjithashtu përfaqësuesit e partive të tjera abstenuan duke thënë se certifikimi duhet të mbështetet në informacione zyrtare nga institucionet e sigurisë.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme