Nga sot në RTSH rikthehet “Abissnet Superiore”, Duka: Suksese të gjitha skuadrave. Le të nisë spektakli i futbollit shqiptar!

Në prag të edicionit të 87-të të “Abissnet Superiore”, Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit (FSHF), Armand Duka, me anë të një mesazhi në rrjetet sociale, i ka uruar suksese dhjetë klubeve pjesëmarrëse, duke e cilësuar sezonin e ri si një kapitull të mbushur me sfida dhe emocione.
Edhe sivjet, liga e futbollit shqiptar do të transmetohet ekskluzivisht në RTSH, që sot me sfidën hapëse Vllaznia–Egnatia në RTSH Sport, ora 20:00.
Në mesazhin e tij, z. Duka nënvizoi rëndësinë e profesionalizmit dhe respektit në fushë. Gjithashtu, ai theksoi se FSHF-ja do të vijojë t’u japë mbështetje maksimale klubeve për zhvillimin e talenteve dhe përmirësimin e infrastrukturës.
Presidenti i FSHF-së pati edhe një mesazh të veçantë për tifozët, të cilët i ftoi të jenë forca kryesore e atmosferës në stadiume, gjithmonë në frymën e “Fair-Play”.
Mesazhi i Presidentit Duka në prag të edicionit të 87-të të “Abissnet Superiore 2025–2026”
Sot hapet një kapitull i ri i futbollit shqiptar me nisjen e edicionit të 87-të të Kategorisë “Abissnet Superiore 2025-2026”. Çdo fillim sezoni është një moment shprese dhe ambicieje, ku ekipet, trajnerët, lojtarët dhe tifozët hyjnë në një udhëtim të ri, të mbushur me plot sfida dhe emocione.
Së pari, dëshiroj t’u uroj të gjitha skuadrave pjesëmarrëse një sezon të suksesshëm, të mbushur me rivalitet sportiv, profesionalizëm dhe respekt në fushën e lojës. Jam i bindur se çdo klub do të japë maksimumin për të arritur objektivat e tij dhe për të kontribuar në rritjen e futbollit tonë.
FSHF mbetet e vendosur të mbështesë rritjen e klubeve në çdo aspekt, duke i inkurajuar ato të investojnë në zhvillimin e talenteve, në përmirësimin e infrastrukturës dhe në rritjen e profesionalizmit. Jam krenar për përparimin që ka bërë futbolli ynë në vitet e fundit, por jam po aq i bindur se rruga përpara kërkon edhe më shumë punë, bashkëpunim dhe vizion.
Gjithashtu, dua të shpreh mirënjohje për çdo futbollist, trajner, arbitër dhe punonjës që kontribuon në organizimin dhe mbarëvajtjen e këtij kampionati. Secili prej jush është pjesë e mozaikut të futbollit shqiptar dhe çdo përpjekje individuale shndërrohet në një arritje kolektive.
Një mesazh i veçantë shkon për tifozët, që janë zemra e futbollit. Ju ftoj të vazhdoni ta bëni të jashtëzakonshme atmosferën në stadiume, por gjithmonë duke respektuar vlerat dhe frymën e Fair-Play. Është përgjegjësi e përbashkët të tregojmë se futbolli shqiptar di të promovojë kulturë sporti dhe krenari kombëtare.
Përpara kemi një sezon të ri që premton rivalitet, emocione dhe histori të reja. Jam i bindur se, me përkushtim dhe pasion, do të përjetojmë së bashku një kampionat të denjë për traditën dhe të ardhmen e futbollit shqiptar.
Në emër të Federatës Shqiptare të Futbollit, ju uroj një sezon të mbushur me suksese dhe momente të paharrueshme.
Le të nisë spektakli i futbollit shqiptar!
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




