Ulet rreziku nga zjarret në shumicën e territorit, nën monitorim vatra në Parkun Natyror të Kolonjës

Ndërhyrjet e shpejta në vatrat e evidentuara në 24 orët e fundit nëpër Shqipëri kanë bërë që situata me zjarret të përmirësohet ndjeshëm, ndikuar nga freskimi i motit dhe reshjet në disa qarqe të vendit.
Qendra Kombëtare Operacionale e Emergjencave Civile raportoi mbrëmjen e së shtunës se vetëm një vatër zjarri mbetet nën monitorim, nga 10 të tilla të njoftuara prej mëngjesit. Vatra në Parkun Natyror Gërmenj të bashkisë Kolonjë u riaktivizua disa herë gjatë ditës, por u arrit të mbahej nën kontroll me mjete zjarrfikëse dhe forca të shumta.
Bashkëpunimi i ngushtë mes institucioneve ka bërë të mundur shuarjen dhe izolimin e 9 vatrave të tjera, njoftoi Ministria e Mbrojtjes. Aksionet u udhëhoqën nga forcat zjarrfikëse, të mbështetura nga strukturat vendore, shërbimi pyjor, policia dhe agjencitë e specializuara.
Ndërhyrjet e zjarrfikësve kanë mundësuar minimizimin e pasojave dhe sigurinë e komuniteteve:
- Në fshatin Ibë, njësia administrative Bërzhitë, bashkia Tiranë;
- Në fshatin Roskovec, njësia administrative Roskovec, bashkia Roskovec;
- Në fshatin Shkjezë, njësia administrative Bushat, bashkia Vau-Dejës;
- Në fshatin Jeran, njësia administrative Kastrat, bashkia Malësi e Madhe;
- Në hekurudhën e Fierit, njësia administrative Fier, bashkia Fier;
- Në pyllin e Sodës, njësia administrative nr 4, bashkia Vlorë;
- Në fshatin Lapardha, njësia administrative Kotë, bashkia Selenicë;
- Në fshatin Pezë Helmës, njësia administrative Pezë, bashkia Tiranë;
- Në fshatin Brataj, njësia administrative Brataj, bashkia Selenicë.
Institucionet përgjegjëse vijojnë monitorimin e pandërprerë të territorit dhe mbeten të angazhuara për reagim të menjëhershëm në çdo rast emergjence.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



