Spiropali mes 14 politikanëve të dekoruar nga Zelensky, merr çmimin “Urdhri i Princeshës Ollga, i Klasit të Parë”

Politikë | 1 vit më parë

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ka dekoruar kryeparlamentaren Elisa Spiropali me çmimin “Urdhri i Princeshës Ollga, i Klasit të Parë.”

Në kuadër të 34-vjetorit të Pavarësisë së Ukrainës, presidenti Zelensky e ka nderuar Spiropalin me Çmimin e Lartë Shtetëror për merita të veçanta në mbështetje të shtetit e shoqërisë ukrainase.

Kryeparlamentarja Spiropali deklaroi se ky çmim është shenjë mirënjohjeje për qëndrimin e palëkundur të vendit tonë në mbështetje të lirisë, sovranitetit e integritetit territorial të Ukrainës.

“Dekorata e lartë për znj. Spiropali është një vlerësim për mbështetjen e vazhdueshme të Kuvendit ndaj luftës së drejtë të popullit ukrainas në arenën e veprimtaritë parlamentare ndërkombëtare si edhe për bashkëpunimin e vazhdueshëm parlamentar mes Kuvendit dhe Parlamentit të Ukrainës, Verkhovna Rada.

Kuvendi i Shqipërisë shpreh mirënjohjen për nderimin e lartë që Presidenti Zelenskyy i bëri kontributit të Kryetares Elisa Spiropali në mbështetje të Ukrainës mike dhe përfiton nga ky rast për të rikonfirmuar qëndrimin e vendosur të Shqipërisë, Kuvendit, institucioneve dhe qytetarëve shqiptarë për dhënien fund luftës dhe vendosjen e paqes së drejtë e të qëndrueshme në Ukrainë”, njofton Kuvendi.

Ndërkaq, kryeparlamentari i Ukrainës, Ruslan Stefanchuk, ka njoftuar përmes rrjeteve sociale se së bashku me homologen Spiropali, Presidenti Zelenksy ka dekoruar 14 figura të larta politike nga SHBA-ja dhe vende evropiane për mbështetjen e tyre dhe bashkëpunimin me Ukrainën në këto kohë të vështira lufte.

“Faleminderit secilit prej jush, miqtë tanë të dashur, anëtarë të familjes së madhe parlamentare, për çmimet e merituara që u janë dhënë nga Presidenti Zelensky, në emër të popullit ukrainas!”, shkruan kryeparlamentari Stefanchuk.

Ambasadori i Ukrainës në Shqipëri, Volodymyr Shkurov bëri me dije se kryeparlamentarja Spiropali u nderua me dekoratën e lartë për kontributin e dhënë në forcimin e bashkëpunimit ndërmjet shtetëror ndërmjet Ukrainës dhe Shqipërisë; mbështetjen e palëkundur për sovranitetin dhe integritetin territorial të Ukrainës; veprimtarinë e saj të angazhuar në fushën e bamirësisë; dhe përpjekjet e saj të vazhdueshme në promovimin e Ukrainës në arenën ndërkombëtare.

“Kjo dekoratë është shenjë e mirënjohjes së thellë nga ana e popullit ukrainas për solidaritetin e treguar në momentet më të vështira të historisë sonë të re, si dhe për miqësinë e sinqertë që vazhdon të forcojë marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve tona”, tha ai.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme