Zgjedhjet e 11 majit, Berisha: Ja si u përsos sistemi i patronazhimit gjatë dy viteve të fundit. Do ketë komision hetimor
Kryedemokrati Sali Berisha ka vijuar edhe këtë të hënë (25 gusht) akuzat për manipulimin e votave të zgjedhjeve parlamentare të 11 majit.
Berisha akuzon Partinë Socialiste për përdorimin e patronazhistëve, që sipas tij, janë nëpunës civil, për manipulim votash e presione ndaj qytetarëve.
Kryedemokrati pretendon se kjo skemë manipulimi është perfeksionuar gjatë viteve 2023-2025, pasi ministritë, bashkitë dhe ndërmarrjet shtetërore u shndërruan në seli elektorale, ndërsa nëpunësit civilë u përdorën si kontrollorë votash.
“Pavarësisht kritikave ndërkombëtare (nga Misionet e OSBE/ODIHR, Këshilli i Europës, Parlamenti Europian), nuk u ndërmor asnjë reformë apo hetim real nga Altin Dumani për përdorimin e sistemit të patronazhimit nga ana e partisë së krimit, Partisë Socialiste. Përkundrazi, qeveria e zgjeroi më tej këtë sistem. Ministritë, bashkitë dhe ndërmarrjet shtetërore u shndërruan në seli elektorale, ndërsa nëpunësit civilë u përdorën si kontrollorë votash. Të dhënat vijuan të mblidheshin përmes platformave të drejtuara nga qeveria Database i sistemit te patronazhimit administrohet nga AKSHI. Qasje në tërë sistemin kanë Edi Rama, Mirlinda Karçanaj. Koordinatorët politike kanë qasje në Sistemin për Qarqet që Drejtojnë”, deklaroi Berisha, teksa shtoi më tej se databaza me të dhëna personale të çdo votuesi i jepen për përdorim shtabeve elektorale të Partisë Socialiste për profilizim elektoral.
Ai akuzoi drejtuesin e SPAK-ut, Altin Dumani, për mungesë vullneti për të hetuar krimin zgjedhor. Në këto kushtet, konfirmoi Berisha, demokratët do të kërkojnë në Kuvend ngritjen e një komisioni parlamentar për të hetuar, sipas tij, manipulimet e kryera më 11 Maj.
“Pa diskutim që do të ketë komision. Natyrisht, Altin Troplini nuk heton dot, sepse Altin Troplini është i marrë peng nga Edi Rama, për arsye se është personi i vetëm me një rrogë me 4 apartamente, 3 të regjistruara në emrin e tij dhe të katërtin, thotë, banoj me qira, kollovar, tek vjehrri,” tha Berisha.
Kreu i demokratëve konfirmoi se ata do të qëndrojnë në emër të mbrojtjes së votës së lirë dhe në këtë betejë ftoi të jenë pjesë edhe qytetarët.
“U përket shqiptarëve dhe opozitës të ngrihen me gjithë fuqinë e tyre, të gatshëm për çdolloj, me vendosmëri për çdo betejë për rikthimin e votës së lirë të qytetarëve shqiptarë,” deklaroi ai.
Shumë shpejt pritet të mblidhen forumet më të larta të Partisë Demokratike për të vendosur aksionin politik të opozitës.
Gazetare: j.k. / Anisa Kadesha
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




