Ana Dajko mban mandatin. Kolegji Zgjedhor jep vendimin pas kërkesës së Adriatik Lapajt

Politikë | 1 vit më parë

Kolegji Zgjedhor, me vendim unanim, vulosi betejën për mandatin e “Nisma Shqipëria Bëhet” në Tiranë duke lënë Adriatik Lapajn jashtë Kuvendit dhe duke e konfirmuar vendimin e KAS-it, që ia dha mandatin Ana Dajkos, të parës në listën e mbyllur.

Ky vendim rrëzon përfundimisht pretendimet e z. Lapaj, i cili kërkonte mandatin si më i votuari i listës së hapur me mbi 60 mijë vota, por edhe kërkesën që mandati të shkonte tek kushërira e tij, Kleana Xhuveli, e renditur e katërta në listën e mbyllur.

Përplasjet brenda koalicionit mes z. Lapaj dhe Endri Shabanit sollën dorëheqje dhe ankesa të njëpasnjëshme, duke i hapur rrugën një beteje të gjatë ligjore. Fillimisht kryekomisioneri Ilirjan Celibashi njohu dorëheqjet dhe shpalli deputete znj. Xhuveli, por Komisioni i Ankimimeve dhe Sanksioneve (KAS) e rrëzoi këtë vendim, duke e rikthyer mandatin tek e para në listë.

Këtë të hënë, Kolegji Zgjedhor vulosi përfundimisht këtë skenar, duke i mbyllur të gjitha shanset që z. Lapaj të ulet në Kuvend.

Dajko shkon në parlament si përfaqësuese e këtij koalicioni, ndërsa çështja konsiderohet e mbyllur.

Pas këtij vendimi, pritet që Komisioni Rregullator në KQZ të mblidhet për të certifikuar rezultatin përfundimtar të zgjedhjeve të 11 majit.

Gazetare: Jonida Omeri

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme