Nata e violinave, tingujt klasikë dhe talentet e reja sjellin emocione në Muzeun Historik të Shkodrës
Muzeu Historik i Shkodrës u mbush mbrëmë me tingujt e veçantë të koncertit të radhës të “Shkodra Jazz Festival”, duke sjellë një atmosferë të ngrohtë dhe plot emocion për publikun.
Nën udhëheqjen e Paçalin Pavacit dhe Brixhilda Martinit, të rinjtë e “Rrok Academy” u ngjitën në skenë me klasat “Classic” dhe “Junior”, duke dëshmuar rritjen dhe pasionin e brezit të ri për muzikën.
Drejtuesit e Akademisë theksuan rëndësinë e aktiviteteve të tilla për edukimin artistik të të rinjve dhe për pasurimin e jetës kulturore të qytetit.
“Këtë radhë kemi veç repertor të huaj. Në datën 18, kur luajta me miqtë e mi, përdorëm edhe pjesë shqiptare, por këtë radhë luajmë vetë pjesë të huaja nga Brahms, Bartok, Briten, që janë të mira si për studimin për të rinjtë, ashtu edhe për publikun, duke qenë se është koncert i jashtëm,” thotë drejtuesi i “Rrok Academy Classic”, z. Pavaci.
“Këtë herë kemi studentë më të vegjël se viti i shkuar. Kjo më gëzon më shumë, sepse ata shohin studentët e rritur, të ‘Academy Classic’, domethënë shohin tri etapa të ndryshme të punës,” shprehet drejtuesja e “Rrok Academy Junior”, znj. Martini.
Edicioni i 16-të i Shkodra Jazz Festival do të vijojë me net të tjera muzikore sërish në mjediset e Muzeut Historik të Shkodrës dhe sheshit para Bashkisë.
Gazetar: Marjo Gjini
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




