Trump nxjerr ushtrinë në rrugët e Uashingtonit për të luftuar krimin

Amerikë | 1 vit më parë

Presidenti amerikan Donald Trump ka nxjerrë ushtrinë në rrugët e Uashtington për të luftuar krimin. Kjo lëvizje vjen pas vendimit të tij për të vendosur 800 trupa të Gardës Kombëtare dhe 500 agjentë federalë më herët këtë muaj, me pretendimin se kryeqyteti është “një nga vendet më të këqija në Tokë” dhe i kapluar nga “maniakë të droguar dhe të pastrehë”.

Një zyrtar i Departamentit të Mbrojtjes deklaroi se të gjitha njësitë e armatosura janë të trajnuara dhe veprojnë nën rregulla strikte për përdorimin e forcës, duke i përdorur armët vetëm si mjet i fundit dhe vetëm në përgjigje të një kërcënimi të menjëhershëm për jetën ose dëmtime të rënda trupore.

Megjithatë, ky vendim ka ngjallur shqetësime të mëdha mes banorëve dhe zyrtarëve lokalë, veçanërisht pasi statistikat zyrtare tregojnë se krimi i dhunshëm në Uashington ka rënë ndjeshëm, duke arritur nivelin më të ulët në 30 vjet.

Të shtunën, anëtarët e Gardës Kombëtare u panë duke patrulluar rrugët si 14th Street, duke bashkëpunuar me policinë metropolitane të DC-së. Prania e shtuar e forcave të rendit është vërejtur në të gjithë qytetin, me automjete ushtarake të parkuara pranë pikave kryesore si Monumenti i Uashingtonit.

Ndërkohë, Trump ka kërcënuar të zgjerojë vendosjen e trupave në qytete të tjera të udhëhequra nga demokratët, si Çikago dhe Nju Jork, duke refuzuar ofertën e kryebashkiakut të Merilendit për një tur në Baltimore dhe duke thënë se mund të “dërgojë trupat” atje.

Për komunitetin e të pastrehëve, i cili numëron rreth 3,700 persona në një qytet me 700,000 banorë, ky veprim ka krijuar pasiguri të madhe.

Rreth 800 të pastrehë jetojnë në rrugë çdo natë, sipas Partneritetit të Komunitetit. Një burrë i pastrehë 50-vjeçar, i identifikuar si Al, tregoi për Washington Post se agjentët e DEA-s kontrolluan sendet e tij për rreth dhjetë minuta dhe një punonjës social i tha më pas se duhej të largohej nga zona brenda dy ditëve. “Dhe ku të shkoj?”, pyeti ai.

Vendosja e Gardës Kombëtare ka sjellë gjithashtu federalizimin e Departamentit të Policisë së Uashingtonit, një veprim i paprecedentë në historinë amerikane.

Drejtori i FBI-së, Kash Patel, deklaroi se “thjeshtësia në zbatimin e ligjit është ajo që po vjen në Uashington, DC. Me DOJ-në dhe Trump pas këtij misioni, ne do të pastrojmë Uashingtonin në mënyrën e duhur dhe të ligjshme”.

Ky zhvillim ka ndezur protesta dhe debate mbi autonominë e qytetit dhe përdorimin e forcave ushtarake për çështje të brendshme, me kritikët që e shohin si një përpjekje për të shpërqendruar vëmendjen nga çështje të tjera politike dhe për të forcuar kontrollin federal mbi qytetin.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme