Dënimi i të miturve – Brenda 2026-ës, godinë e re për riedukimin dhe rehabilitimin

Aktualitet | 1 vit më parë

Instituti për Edukimin dhe Rehabilitimin e të Miturve që po ndërtohet në Mëzez të Tiranës i pari në rajon dhe i dyti në Evropë pas Francës, pritet të hapet brenda vitit 2026.

“Duke qenë se ka filluar procedura e ndërtimit, mendojmë që brenda vitit 2026 mund të kemi nisjen e funksionimit të Institutit. Sigurisht që do të kërkojë kohën e vet për përgatitjen e akteve nënligjore, ngritjen e një grupi të strukturuar me të gjithë profesionistët e sistemit,” tregon Klaudia Hasanllari, drejtoreshë e Qendrës së Parandalimit të Krimit të të Miturve dhe të Rinjve.

Ky institut do të jetë një shans i dytë për të miturit në konflikt me ligjin. Ai po ndërtohet në një sipërfaqe prej 9.000 m katrorë, ku po krijohen 7 objekte multidisiplinare për ofrimin e shërbimeve. 

“Instituti synon të jetë, së pari, një pikë orientuese dhe mbështetëse për të gjithë zinxhirin ndërinstitucional të drejtësisë për të mitur në kuadër të programeve rehabilituese për fëmijët në konflikt me ligjin. Mbi të gjitha synon të ofrojë programe të specializuara për çdo tipologji vepre penale dhe çdo rast specifik të të miturve që përfshihen në konflikt me ligjin,” thotë znj. Hasanllari.

Por ndërtimi i institutit nuk do të zëvendësojë burgjet për të mitur.

“Në ndryshim nga instituti aktual që është në Kavajë, ku akomodohen vetëm të miturit për të cilët gjykata është shprehur me një vendim për masë sigurie të paraburgimit apo arrestit me burg, apo me dënim të formës së prerë, instituti i ri ka të bëjë me të mitur të tjerë, të cilët nuk kanë një masë sigurie të arrestit me burg, pra, nuk kanë kryer vepra me rrezikshmëri të lartë apo të rëndë shoqërore, por vepra më të lehta, ndaj trajtohen me masa të tjera edukuese, parandaluese dhe rehabilituese,” shprehet drejtoresha.

Bazuar në të dhënat e Sistemit të Integruar të Drejtësisë Penale për të Mitur për vitin 2024, numri i fëmijëve që kanë pasur një masë sigurie të arrestit me burg ka qenë 27, por kanë qenë 835 procedimet penale të regjistruara për të mitur.

Gazetare: Lusi Përgjegji

/rtsh.al


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme