Gonxhja: 26,5 milionë euro të kursyera nga Operatori i Blerjeve të Përqendruara në 16 muaj

Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja, ka bërë të ditur se Operatori i Blerjeve të Përqendruara (OBP) ka arritur të kursejë 26.5 milionë euro nga buxheti i shtetit gjatë 16 muajve të fundit.
Sipas tij, kjo është rezultat i prokurimeve transparente, menaxhimit efikas dhe shpejtësisë rekord në çdo procedurë.
“Ky rezultat tregon se OBP po vendos standarde të reja në menaxhimin e parasë publike, duke mbrojtur interesin e qytetarëve dhe duke kontribuar drejtpërdrejt në përmirësimin e cilësisë së jetës,” u shpreh Gonxhja. Ai theksoi se kursimet përkthehen në më shumë shkolla moderne për fëmijët, më shumë spitale dhe qendra shëndetësore me pajisje të reja, si dhe më shumë investime në rrugë, infrastrukturë dhe shërbime publike.
OBP ka implementuar një platformë online falas që njofton në kohë reale operatorët ekonomikë për çdo garë apo tender të shpallur.
Gjithashtu, është krijuar Katalogu Digjital ALBZONE, i cili standardizon çmimet dhe specifikimet për autoritetet kontraktore, duke lehtësuar procesin e prokurimeve.
Ministri Gonxhja theksoi se çdo ofertues që shpallet fitues nga OBP mban përgjegjësi të plotë ligjore për detyrimet që rrjedhin nga kontrata, përfshirë deklarimin e konfliktit të interesit dhe zbatimin e akteve në fuqi.
Ai shtoi se OBP auditohet dhe monitorohet rregullisht për çdo veprim zyrtar, duke garantuar transparencë dhe efikasitet në menaxhimin e fondeve publike .
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




