Bombardimi i spitalit në Gaza nga Izraeli, OKB bën thirrje për llogaridhënie dhe drejtësi

Botë | 1 vit më parë

Organizata e Kombeve të Bashkuara ka bërë thirrje për hetim të plotë dhe llogaridhënie në lidhje sulmet izraelite në Gaza, përfshi edhe sulmin e dyfishtë ajror ndaj spitalit Nasser, i cili shkaktoi vdekjen e 20 personave, mes të cilëve edhe të pesë gazetarëve.

Zëdhënësi i Zyrës së OKB-së për të Drejtat e Njeriut, Thameen Al-Kheetan deklaroi nga Gjeneva se “duhet të ketë drejtësi”, duke theksuar se numri i lartë i gazetarëve të vrarë në Gaza ngre shqetësime serioze për shënjestrimin e punonjësve të medias në mënyrë të përsëritur.

Më 25 gusht forcat izraelite bombarduan dy herë spitalin Nasser, një nga institucionet e fundit shëndetësore funksionale në jug të Gazës. Sulmi i dytë ndodhi vetëm 15 minuta pas të parit, në momentin kur gazetarët dhe ekipet e shpëtimit po përpiqeshin të ndihmonin të plagosurit, duke rezultuar në vrasjen e punonjësve të medias dhe ndihmësve të parë.

Ndër viktimat ishin gazetarë që punonin për Reuters, Associated Press dhe Al Jazeera, si dhe reporterë të pavarur. Sulmi ka shkaktuar dënim të gjerë ndërkombëtar, dhe mediat përkatëse kanë reaguar me deklarata zyrtare zie, duke kërkuar transparencë dhe hetim të pavarur nga autoritetet izraelite.

Kjo ngjarje ka thelluar shqetësimet ndërkombëtare për sigurinë e civilëve dhe punonjësve humanitarë në konfliktin e vazhdueshëm në Gaza, ku viktimat në radhët e gazetarëve po arrijnë nivele alarmante.

Izraeli ka kryer shpesh sulme ndaj spitaleve gjatë gjithë luftës 22-mujore në Gaza, me Organizatën Botërore të Shëndetësisë që raportoi në prill se 33 nga 36 spitalet e Gazës ishin dëmtuar. Izraeli në të kaluarën ka pretenduar se Hamasi është i integruar brenda infrastrukturës mjekësore të Gazës, pa paraqitur prova të besueshme për pretendimet e tij.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme