KQZ certifikoi rezultatin e 11 Majit, Berisha: Nuk i njohim zgjedhjet

Politikë | 1 vit më parë

Kryedemokrati Sali Berisha ka përsëritur edhe këtë të enjte (28 gusht) akuzat për manipulimin e votave të zgjedhjeve të 11 majit, ndërsa theksoi se PD nuk do të njohë rezultatin e dalë prej këtyre zgjedhjeve.

“Nuk i njeh zgjedhjet, e kemi deklaruar. Përfaqësuesit tanë mbajtën një qëndrim dinjitoz në Komision. Shprehën mendimet. Këto ishin një farsë e vërtetë elektorale. Ky është qëndrimi ynë dhe ne e kemi shprehur këtë”, deklaroi Berisha.

Reagimi i kryedemokratit vjen pas certifikimit të rezultatit të zgjedhjeve të 11 majit.

“Akuzat e Trump ndaj Soros, një akt historik”

Berisha i kushtoi vëmendje të posaçme akuzave të presidentit të SHBA-së, Donald Trump, ndaj George Soros. Ai risolli në kujtesë denoncimet e tij publike të bëra në 2017-ën ndaj Sorosit, për mbështetjen e dhënë për instalimin e pushtetit të Ramës apo për kapjen e sistemit të drejtësisë, përmes “së ashtuquajturës reformë”.

“Thirrja ime për qeverinë e SHBA dhe kongresin e SHBA, thirrja ime për FBI-në, të shtrijnë hetimet e tyre për Xhorxhin dhe të birin edhe në Shqipëri gjatë 20 viteve dhe do gjejnë se si ata përdorën çdo lloj influence kundër një force politike në favor të ekstremit të majtë të Edi Ramës, bashkëshortes së tij dhe ish-bashkëshortes së tij, të gjitha drejtuese kryesore në fondacionin Soros, të ushqyera me miliona nga ky fondacion,” u shpreh Berisha.

Si në aspektin personal, ashtu edhe në atë politik, kryedemokrati tha se ndihet më i lehtësuar në kushtet kur koha faktoi, sipas tij, akuzat e bëra se shpallja e tij non grata nga SHBA ishte një akt korruptiv me lobimin e Sorosit.

“Tani, ditë e madhe në histori. Personi që loboi për ‘non gratën’ time subjekt i RICO-s. Si të duket ty. Ja, shihe. Një. Dy, personi që firmosi nuk hyn dot në asnjë ndërtesë federative të vendit të tij. ‘Non grata’ në çdo ndërtesë. Si një mashtrues i madh publik dhe nuk dihet se si do shkojë se ka bërë një mashtrim të tmerrshëm të kombit të tij,” tha Berisha.

Gazetare: j.k. / Anisa Kadesha

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme