Skema piramidale online, autoritetet ngrenë alarmin, AKSK: Masa urgjente për bllokimin e aktivitetit të tyre. Policia nis hetimet

Autoritet shqiptare kanë ngritur alarmin në lidhje me disa skema mashtruese investimesh online, duke i kërkuar qytetarëve që të mos bien pre e tyre dhe t’i denoncojnë. Këto platforma prezantohen si skema të sigurta investimesh në kriptovaluta, duke premtuar fitime të shpejta.
Autoriteti Kombëtar për Sigurinë Kibernetike (AKSK) i ka bërë thirrje qytetarëve që të tregohen të kujdesshëm ndaj këtyre platformave. AKSK përmend një platforme të vetëquajtur TXEX, për aktivitetin e së cilës thotë se mbart “tiparet e qarta” të një skeme mashtruese digjitale. AKSK kërkon nga qytetarët që të denoncojnë rastet e mashtrimeve digjitale, duke theksuar se përfshirja në këto skema mund të shkaktojë humbje të mëdha financiare.
“Autoriteti Kombëtar për Sigurinë Kibernetike, në ushtrim të kompetencave të tij për garantimin e sigurisë në hapësirën digjitale dhe ndërgjegjësimin e publikut për rreziqet kibernetike, informon qytetarët mbi identifikimin e një rasti mashtrimi online përmes një platforme të vetëquajtur TXEX. Kjo platformë, e prezantuar si aplikacion për investime në kriptovaluta, nuk është e regjistruar dhe nuk është e licencuar në Republikën e Shqipërisë dhe si e tillë operon jashtë çdo kuadri ligjor kombëtar. Nga vëzhgimet tona dhe nga denoncimet e shumta të bëra publike, konstatohet se aktiviteti i saj mbart tiparet e qarta të një skeme mashtruese digjitale”, thuhet në reagim.
Përveç TXEX, AKSK thotë se janë edhe 2 platforma të tjera të ngjashme XUEXA dhe Grokrexduu.
“AKSK ka marrë masa urgjente për bllokimin e aktivitetit të këtyre faqeve mashtruese në territorin e Republikës së Shqipërisë, duke bashkëpunuar ngushtësisht me institucionet përgjegjëse AKEP, Policinë e Shtetit dhe ofruesit e shërbimeve të internetit”, thekson AKSK.
Ndërkohë, Policia njofton se ka nisur një hetim penal lidhur me një skemë të dyshuar investimesh piramidale, nëpërmjet platformave online.
“Policia e Shtetit iu bën thirrje të gjithë qytetarëve, që të tregojnë kujdes të shtuar dhe të shmangin aplikimet ose përfshirjen në platforma të tilla, të cilat premtojnë fitime të menjëhershme dhe të paverifikuara. Për çdo dyshim apo informacion që mund të ndihmojë hetimin, ju inkurajojmë të kontaktoni menjëherë strukturat përkatëse të Policisë së Shtetit, konkretisht ato të Drejtorisë së Hetimit të Krimit Kibernetik dhe të Drejtorisë së Hetimit të Krimit Ekonomik e Financiar në DPPSh, si dhe të sektorëve përkatës në çdo DVP”, thotë policia.
Reagimi i plotë i AKSK:
Mënyrat e funksionimit të mashtrimit
Platforma TXEX përdor:
• Reklama joshëse dhe të rreme në rrjete sociale (p.sh. Instagram, TikTok);
• Krijimin e grupeve të simuluara komunikimi në Telegram, WhatsApp, Signal;
• Prezantimin e fitimeve të fabrikuara për të ndërtuar besueshmëri tek viktimat;
• Kërkimin e pagesave shtesë me arsyetimin për “verifikim” apo “tërheqje fondesh”;
• Mbledhjen e dokumenteve personale sensitive (ID, foto), duke shtuar rrezikun për keqpërdorim të të dhënave personale.
AKSK paralajmëron qytetarët shqiptarë se përfshirja në këtë platformë sjell:
• Humbje financiare të parikuperueshme;
• Rrezik të lartë për cënimin e privatësisë dhe identitetit digjital;
• Mundësi për keqpërdorim të mëtejshëm të të dhënave personale nga rrjete kriminale.
Qytetarët duhet të kenë parasysh se:
1. Asnjë subjekt i palicencuar nuk ka të drejtë të ofrojë shërbime financiare apo investimi në Shqipëri;
2. Premtimet për fitime të shpejta dhe të garantuara janë indikator klasik i mashtrimeve online;
3. Asnjë platformë e ligjshme nuk kërkon pagesa shtesë apo të dhëna personale për tërheqjen e fondeve.
Për të mbrojtur veten dhe të tjerët, AKSK u bën thirrje qytetarëve që:
• Të mos kryejnë transaksione financiare me këtë platformë;
• Të mos ndajnë të dhëna personale sensitive me subjekte të panjohura;
• Të raportojnë menjëherë rastet e dyshimta.
Përveç TXEX janë dhe 2 platforma të tjera të ngjashme XUEXA dhe Grokrexduu. AKSK ka marrë masa urgjente për bllokimin e aktivitetit të këtyre faqeve mashtruese në territorin e Republikës së Shqipërisë, duke bashkëpunuar ngushtësisht me institucionet përgjegjëse AKEP, Policinë e Shtetit dhe ofruesit e shërbimeve të internetit.
Autoriteti Kombëtar për Sigurinë Kibernetike thekson se siguria kibernetike është pjesë përbërëse e sigurisë kombëtare, dhe se mbrojtja nga mashtrimet digjitale kërkon kujdes të shtuar, ndërgjegjësim të vazhdueshëm dhe bashkëpunim të qytetarëve me institucionet përgjegjëse.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




