Sekuestrohen pasuri me vlerë mbi 26 mln euro, në pronësi të një 45-vjeçari i dënuar në Itali për vrasje e trafik droge

Aktualitet | 1 vit më parë

Një pasuri me vlerë 26 milionë e 500 mijë euro, e përfituar në mënyrë të paligjshme, i është sekuestruar një 45-vjeçari të dënuar në Itali për vrasje dhe trafikim të lëndëve narkotike.

Pasuritë u sekuestruan me kërkesë të Prokurorisë së Tiranës pranë Gjykatës së Shkallës së Parë, dhe konkretisht: 19 prona në zonat e Tiranës, Bathores, Farkës, Marikajt; 2 automjete luksoze të llojit Range Rover dhe Smart, si dhe 20 llogari bankare të regjistruara në emër të 45-vjeçarit ose të familjarëve të tij, me vlerë tregu rreth 26 milionë e 500 mijë euro.

Sipas Prokurorisë, 45-vjeçari rezulton i dënuar më parë për veprat penale “Vrasja me paramendim” dhe “Trafikimi i lëndëve narkotike”, kryer në kuadër të grupit të strukturuar kriminal. Ai ka qenë i përfshirë në një rrjet të strukturuar kriminal të trafikut të narkotikëve në Itali gjatë periudhës 2007–2012. Po ashtu, është dokumentuar përdorimi i disa identiteteve të ndryshme nga 45-vjeçari, si dhe transaksione financiare të pajustifikuara në raport me të ardhurat e ligjshme të deklaruara të personave përkatës.

“Sekuestrot janë vendosur me qëllim: parandalimin e tjetërsimit ose përdorimit të këtyre pasurive për qëllime kriminale; garantimin e ekzekutimit të vendimeve të mundshme gjyqësore mbi konfiskimin e tyre,” thuhet në njoftimin e Prokurorisë së Tiranës.

Ndërkohë, Policia vijon hetimet për gjurmimin dhe sekuestrimin e pasurive të tjera, që dyshohet se kanë burim nga veprimtaritë kriminale të këtij personi.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme