Merz: Takimi mes Putinit dhe Zelenskyt s’ka për të ndodhur

Kancelari gjerman Friedrich Merz ka deklaruar se bisedimet e drejtpërdrejta mes presidentit rus Vladimir Putin dhe presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky nuk do të zhvillohen, pavarësisht përpjekjeve të administratës Trump për të arritur një marrëveshje paqeje.
Këtë koment Merz e bëri përpara një darke me presidentin francez Emmanuel Macron në ‘Fort de Brégançon’, rezidencën verore të liderit francez.
“Ndryshe nga ajo që u ra dakord mes presidentit Trump dhe presidentit Putin javën e kaluar, kur ishim bashkë në Uashington, është e qartë se nuk do të ketë një takim mes presidentit Zelenskyy dhe presidentit Putin,” u shpreh Merz për gazetarët.
Kjo deklaratë vjen pas njoftimit të Trump më herët gjatë këtij muaji, pas një takimi me liderët evropianë në Shtëpinë e Bardhë, ku ai tha se kishte organizuar një takim mes Putin dhe Zelenskyt.
Megjithatë, Moska më vonë uli pritshmëritë për një samit të afërt.
Komentet e Merz pasojnë një sulm vdekjeprurës rus në Kyiv të enjten në mëngjes, i cili la të paktën 12 të vdekur dhe dëmtoi ndërtesa ku ndodheshin delegacionet e BE-së dhe Britanisë.
Macron e dënoi sulmin, duke e përshkruar atë si “terror” dhe “barbari”. Liderët evropianë kanë shprehur privatisht skepticizëm për suksesin e nismës së paqes të Trump me Putinin, por deklarata e Merz është një nga shprehjet më të forta publike të dyshimit deri më tani nga një lider evropian.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




