Diplomatët në Kryeministri, e ngarkuara me punë e SHBA-së dhe ambasadorja izraelite priten në selinë qeveritare
E ngarkuara me punë e SHBA-së, Nancy Vanhorn, ka pasur një takim në Kryeministri paraditen e kësaj të premteje (29 gusht). Vizita vjen pak ditë para nisjes së legjislaturës së re të Kuvendit.
Takimi i përfaqësueses së lartë amerikane zgjati disa minuta. Burime të sigurta në Kryeministri konfirmuan për RTSH se diplomatja e SHBA-së nuk është takuar me kryeministrin Edi Rama, por me funksionarë të lartë të kabinetit qeveritar.
Ndërkaq pas saj edhe një tjetër përfaqësuese diplomatike, ambasadorja e Izraelit, Galit Peleg, u prit në selinë qeveritare.
Pas më shumë se tre muajsh nga zgjedhjet, Komisioni Rregullator certifikoi dje shpërndarjen e mandateve parlamentare në të gjitha qarqet e Shqipërisë, duke i hapur rrugë Presidentit që të dekretojë datën për nisjen e legjislaturës së njëmbëdhjetë të Kuvendit.
Ndërkohë, ditët në vijim, Partia Socialiste pritet të mbajë një Asamble, ku kryeministri Edi Rama do të bëjë me dije emrat me të cilët do të bashkëpunojë në mandatin e katërt qeverisës me moton e “Shqipërisë 2030”. Ditët e fundit, Rama ka zhvilluar një sërë takimesh me ministra, funksionarë shtetërorë e partiakë.
Gazetare: j.sh. / Denada Shkodrani
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




