Rrjedhja e bisedës telefonike me ish-udhëheqësin e Kamboxhias, Gjykata e Tajlandës shkarkon nga detyra kryeministren

Botë | 1 vit më parë

Gjykata Kushtetuese tajlandeze ka shkarkuar nga detyra kryeministrin e pezulluar të vendit Paetongtarn Shinawatra, për shkelje “serioze të etikës” për shkak të një telefonate të diskutueshme që ajo pati me ish-udhëheqësin e Kamboxhias. Paetongtarn u bë kryeministri më i ri i vendit në gusht 2024 dhe ka shërbyer vetëm një vit në detyrë.

Në telefonatën e rrjedhur, e cila u zhvillua më 15 qershor ndërsa tensionet kufitare me Kamboxhian u përshkallëzuan, Paetongtarn dëgjohej duke e quajtur ish-kryeministrin e Kamboxhias Hun Sen “xhaxha” dhe dukej se kritikonte veprimet e ushtrisë së saj në përleshjet kufitare që kishin çuar në vdekjen e një ushtari kamboxhian.

Paetongtarn po ashtu i premton atij se do të kujdeset personalisht nëse ai do të kishte nevojë për diçka. Kjo solli reagime të ashpra në vend, ndërsa kundërshtarët e akuzuan Paetongtarn për kompromentimin e interesave kombëtare të vendit.

Javë më vonë dy vendet u përfshinë në një konflikt pesë-ditor që vrau të paktën 38 persona, kryesisht civilë, dhe detyroi qindra mijëra të largoheshin nga shtëpitë e tyre.

Paetongtarn i kërkoi falje popullit tajlandez  dhe tha se deklaratat e saj ishin një teknikë negociuese e përdorur për të ulur tensionet.

Më 1 korrik, gjykata e pezulloi Paetongtarn nga detyrat e kryeministres, ndërsa sot mori vendimin për largimi e saj nga kjo detyrë.

“Veprimet e Paetongtarn nuk ruajtën krenarinë e kombit dhe konsideruan interesin personal mbi atë të vendit, i cili shkeli seriozisht ose dështoi të ndiqte standardet etike,” tha gjykata në vendimin e saj.

Pas këtij vendimi të Gjykatës, zëvendëskryeministri i vendit do të zëvendësojë Shinawatra përpara se të mbahet një votim i ri për kryeministër.

Paetongtarn bëhet udhëheqësi i pestë që nga viti 2008 që shkarkohet nga kjo gjykatë, duke e zhytur Tajlandën sërish në pasiguri.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme