“Flauti Magjik”, familja Qerimaj sjell një mbrëmje muzikore në Korçë

Kulturë | 1 vit më parë

Në qytetin e Korçës u mbajt koncerti i veçantë me titull “Flaut i Magjik”, i organizuar nga familja Qerimaj, një familje artistësh e njohur për talentin dhe traditën e saj muzikore. Ngjarja u zhvillua në një atmosferë festive ku publiku korçar, dashamirës i artit dhe muzikës, pati mundësinë të shijonte një program të larmishëm që përfshinte interpretime me flaut, violinë, piano dhe instrumente të tjera, duke i dhënë mbrëmjes një dimension të veçantë artistik.

“Kemi gjetur një repertor i cili është shumë i spikatur dhe i përzgjedhur që lidh muzikën klasike dhe muzikën bashkëkohore dhe tradicionale. Mendoj që publiku korçar është një publik me sens aristokrat”, u shpreh kompozitori klarinetisti dhe dirigjenti, Fator Qerimaj.

“Violina quhet ndryshe dhe mbretëresha e instrumenteve dhe veçantia e saj është se mund të shprehësh gjithçka me të në mënyrat më të bukura”, u shpreh violinistja, Klodi Qerimaj.

 Familja Qerimaj solli në skenë virtuozitet, pasion dhe një përkushtim ndaj muzikës, duke ndërthurur tingujt klasikë me ritme moderne ndërsa u shoqëruan më pas edhe nga klarinetisti i mirënjohur Zhani Struga dhe Nexhildo Sula. Performanca e tyre u prit me duartrokitje të gjata dhe emocion nga publiku, i cili e cilësoi këtë koncert si një nga momentet më të bukura të jetës kulturore të qytetit.

Gazetare: G. Manushi

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme