KLGJ reagon ndaj deklaratave për gjyqtarët: Minojnë pavarësinë e pushtetit gjyqësor

Aktualitet | 1 vit më parë

Këshilli i Lartë Gjyqësor (KLGJ) ka reaguar të premten duke dënuar deklaratat e fundit nga subjekte publike dhe private ndaj gjyqtarëve. Sipas KLGJ-së, shprehje të tilla “cenojnë figurën dhe dinjitetin e gjyqtarëve” dhe “minojnë pavarësinë e pushtetit gjyqësor.”

Në një deklaratë zyrtare, Këshilli thekson se në çdo shoqëri demokratike, gjyqtarët janë garantues të barazisë përpara ligjit dhe funksioni i tyre duhet të ushtrohet i lirë nga çdo ndikim, duke iu nënshtruar vetëm Kushtetutës dhe ligjeve. Ky parim i ndarjes dhe balancimit të pushteteve konsiderohet themelor për një shtet të së drejtës.

KLGJ u bën thirrje të gjitha palëve që të respektojnë pavarësinë e gjyqësorit, duke theksuar se e vetmja rrugë për të kundërshtuar një vendim gjyqësor është përmes mjeteve ligjore, siç janë ankesat në gjykatat më të larta. Këshilli nënvizon se çdo pretendim për sjellje apo integritet të gjyqtarëve duhet të adresohet pranë institucioneve përkatëse.

Në fund të deklaratës, KLGJ shpreh mbështetjen e plotë për gjyqtarët dhe punën e tyre, duke i inkurajuar të ushtrojnë funksionin në mënyrë të përgjegjshme dhe të pavarur. Sipas Këshillit, vetëm një sistem gjyqësor i pavarur mund të garantojë drejtësi efektive dhe të meritojë besimin e publikut, duke forcuar rrugëtimin e Shqipërisë drejt integrimit evropian.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme