Osmani: Kosova përkrah SHBA-në në luftën kundër krimit të organizuar dhe terrorizmit

Kosovë | 1 vit më parë

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka deklaruar se Kosova do të qëndrojë fuqishëm krah Shteteve të Bashkuara të Amerikës në luftën kundër krimit të organizuar transnacional, terrorizmit, karteleve të drogës dhe regjimeve kriminale.

Në një deklaratë të fundit, ajo njoftoi se ka lëshuar një Dekret Presidencial për të harmonizuar plotësisht emërtimin e organizatave terroriste të huaja nga Kosova me Urdhra Ekzekutive të Presidentit të SHBA-së, Donald Trump, të janarit 2025.

Këto urdhra i shpallin kartelet ndërkombëtarë droge dhe organizata kriminale si organizata terroriste të huaja.

“Sot, kam nxjerrë një Dekret Presidencial për të harmonizuar plotësisht emërtimin e organizatave terroriste të huaja nga Kosova me Urdhrat Ekzekutivë të presidentit Donald Trump të janarit 2025, të cilët kanë emërtuar një numër kartelesh ndërkombëtarë të drogës dhe organizatash të tjera kriminale si organizata terroriste të huaja”, tha presidentja Osmani.

Ajo theksoi rëndësinë e partneritetit me SHBA-në, duke shtuar se “historia tregon një të vërtetë të thjeshtë: kur Amerika udhëheq, ka më shumë paqe, më shumë siguri dhe më shumë liri globalisht. Kosova do të qëndrojë gjithmonë krah SHBA-së për të avancuar këtë vizion dhe për të luftuar të gjithë ata që rrezikojnë sigurinë e aleatit tonë më të rëndësishëm.”

Ky dekret dhe deklarata e Presidentes Osmani nënvizojnë angazhimin e Kosovës për të mbështetur iniciativat ndërkombëtare të SHBA-së në luftën kundër kërcënimeve globale, duke forcuar bashkëpunimin strategjik mes dy vendeve.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme