Reforma në menaxhimin e mbetjeve, Shqipëria ndahet në 10 rajone dhe krijon një operator kombëtar

Në kuadër të një reforme të re për menaxhimin e integruar të mbetjeve, Kryeministri Edi Rama ka prezantuar ndarjen e Shqipërisë në 10 Rajone të Menaxhimit të Mbetjeve. Këto rajone synojnë një menaxhim më efikas të burimeve njerëzore dhe financiare, duke krijuar një sistem më bashkëkohor për trajtimin e mbetjeve.
Dhjetë rajonet e reja janë:
Berat
Dibër
Korçë
Durrës – Tiranë
Vlora Veri
Gjirokastër – Vlora Jug
Kukës
Fier
Elbasan
Shkodër

Krijimi i Operatorit Kombëtar dhe rolet e reja
Një nga shtyllat kryesore të kësaj reforme është krijimi i Operatorit Kombëtar të Trajtimit të Mbetjeve. Ky institucion i ri, si një kompani shtetërore, do të ketë si fokus të gjithë procesin e trajtimit të mbetjeve në nivel kombëtar, duke përfshirë ndërtimin, operimin dhe financimin e infrastrukturës.
Sipas Ramës, ky operator do t’i japë fund administrimit të mbetjeve nga bashkitë. Në vend të kësaj, bashkitë do të veprojnë si “klientë” të operatorit, duke ruajtur përgjegjësinë për grumbullimin e mbetjeve në territorin e tyre, ndërsa procesi i trajtimit do të jetë i centralizuar.
Kryeministri Rama, një ditë më pare, e cilësoi këtë reformë si kapitullin më sfidues të negociatave për anëtarësimin në BE, duke i bërë thirrje të gjithë zyrtarëve dhe qytetarëve që të ndërgjegjësohen për rëndësinë e saj.
Ndërsa ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro, theksoi gjatë prezantimit të kësaj reforme se ajo bazohet në dy projektligje të reja, që synojnë përshtatjen me standardet evropiane. Ajo pohoi se ky plan është i nevojshëm, pasi aktualisht mblidhen rreth 98% e mbetjeve të gjeneruara, dhe kjo shkon përtej kapaciteteve aktuale të bashkive.
Kumbaro prezantoi edhe investimet në proces, si në ndërtimin e pikave fundore të reja, ashtu edhe në mbylljen e venddepozitimeve jo-standarde në disa nga rajonet e reja. Gjithashtu, pritet të ngrihet një Sistem i Integruar i të Dhënave Mjedisore, një platformë digjitale për të monitoruar në kohë reale regjistrin e mbetjeve dhe transfertat e tyre.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




