Shembja e resortit të ish-kreut të IMT Durrës, Rama: I është dorëzuar drejtësisë, mori peng territorin

Kryeministri Edi Rama, teksa ka publikuar pamje nga shembja e resortit të ish-kreut të IMT-së në Durrës, thotë se aksioni për lirimin e hapësirave publike vijon në të gjithë territorin, nga veriu në jug. Ish-kreu i IMT-së Durrës, Ardian Halili është ndaluar nga Policia, ndërsa ndaj tij kanë nisur edhe hetimet.
“Ca zëra në nisje të kësaj kthese të re thoshin “po pse Thethi e jo Jugu, po pse ashtu e jo kështu”, ndërkohë puna për mbrojtjen e vendit nga abuzuesit vazhdon në Veri, Jug dhe Shqipërinë e Mesme, ku konkretisht në Durrës është vendosur rendi ligjor mbi një territor të marrë peng nga një abuzues, i cili është ndaluar nga Policia e Shtetit e i është dorëzuar drejtësisë edhe si ish-drejtues i inspektorëve të Durrësit”, shkruan Rama.
Forcat xheniere përdorën 80 kg lëndë plasëse për të shembur godinën dykatëshe të resortit, ndërsa objektet më të vogla u rrafshuan me fadromë. Nga verifikimet e kryera, u konfirmua se kompleksi “Saint Michelle Residence” ishte ndërtuar pa leje në një sipërfaqe prej 5600 m2. Ai përfshinte 11 kabina, një godinë dykatëshe, një fushë minifutbolli dhe një pishinë. Ndërtimi i tij kishte nisur në vitin 2018, pikërisht gjatë periudhës kur Halili shërbente si kreu i IMT-së.
Prej disa javësh, në të gjithë territorin e vendit janë liruar mijëra metra katrorë sipërfaqe publike të zëna në mënyrë abuzive, dhe tashmë pritet së shpejti paketa e masave për ata që lejuan këtë situatë.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




