Shet misra në rrugë prej 25 vitesh, Iljaz Doçi mban familjen me këtë punë

Aktualitet | 1 vit më parë

Çdo ditë, që nga ora 4:00 e pasdites e deri në mesnatë, Iljaz Doçin e gjen në pedonalen e qytetit të Kukësit duke pjekur misër.

“Në 4:00 dal e përgatitem. Rri deri në 11:00 të natës. Ka raste edhe 12:00 të natës gjatë verës,” tregon misrashitësi.

Prej 25 vitesh ushtron të njëjtën punë dhe e bën me dëshirë, sa nuk mendon aktivitet tjetër.

“I kemi drejtuar edhe fëmijët me punë, me djersë. Një punë duhet ta bëjë robi, se duhet ngrënë, jetuar,” thotë 66-vjeçari.

Iljazi tregon se përmes kësaj pune ka arritur të shkollojë fëmijët e tij dhe shpreson që të vazhdojë deri në moshën 70-vjeçare.

“Me këtë punë i kam drejtuar fëmijët në shkollë të lartë. Tash janë në punë. Me timen, edhe nja 5 vjet po njëherë, deri 70 [vjeç]. Zoti para!” thekson ai.

Megjithëse është lodhur viteve të fundit, ai thotë se puna është ajo që të mban gjallë.

Iljazi është gjithashtu mirënjohës për respektin dhe mbështetjen e blerësve të tij.

“Më kanë respektuar edhe njerëzit. Misrin e blej te fshatarët. Edhe ata i ndihmojmë,” shprehet Iljazi.

66-vjeçari nuk i ndahet kësaj pune deri në vjeshtë, deri në përkeqësimin e motit dhe uljen e temperaturave.

Gazetar: Dashmir Shehu

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme