Berisha në SPAK akuza Dumanit: Përgjegjësi numër dy për farsën elektorale. Opozita, betejë në të gjitha frontet

Politikë | 1 vit më parë

Kryedemokrati Sali Berisha është paraqitur këtë të hënë në Prokurorinë e Posaçme në zbatim të masës “detyrim paraqitje” në lidhje me dosjen “Partizani”. Pas lënies së ambienteve të SPAK, Berisha në një deklaratë për mediet, ka hedhur akuza ndaj kreut të Prokurorisë së Posaçme, Altin Dumani, se sipas tij, ka licensuar farsën elektorale.

“Ai e ka bërë veten një me Edi Ramën në krimin elektoral. Tre vjet më parë kam denoncuar SKAP-in me forcën më të madhe për krimin elektoral, për mbrojtjen e dosjeve 184 dhe 339. Kjo ka qenë për mua shokuese sepse me këtë veprim firmosën licensën Edi Ramës që të bëjë ç’të dojë me zgjedhjet. Pas Ramës, përgjegjës numër dy për farsën elektorale konsideroj Altin Troplinin. Edhe para disa kohësh deklaroi në mënyrë mashtruese se s’kanë sjellë fakte e prova në një kohë kur kemi paraqitur me qindra fakte dhe prova”, tha Berisha.

Partia më e madhe e opozitës në Tiranë e ka mirëpritur vendimin e Presidentit amerikan për sipërmarrësin dhe filantropistin Xhorxh Soros, lidhjet e të cilit në Shqipëri i bashkon vetëm në një person: tek kundërshtari i tij politik, Edi Rama. Madje, Sali Berisha la të kuptohet mes rreshtave të dy daljeve që bëri gjatë së hënës, para godinës së Prokurorisë dhe në selinë e partisë së tij, se drejtësia në Shqipëri u kap nëpërmjet një reforme të deformuar që u sponsorizua, sipas demokratëve, nga Soros dhe lidhjet e tij në Tiranën politike.

“Garantoj Edi Ramën se PD do bëjë gjithçka për desorosizimin e këtij vendi, për të nxjerrë Shqipërinë nga narkoshtet, republikë e Xhorxh Sorosit, në një republikë të ligjit, qytetarëve të saj,” tha Berisha.

Kjo nuk ishte deklarata e vetme e z. Berisha. Ai lajmëroi në vetën e parë se, për të respektuar hetimet e opozitës me fakte, por edhe procedurën, PD ka depozituar në Kolegj Zgjedhor një ankesë për të kundërshtuar rezultatin e shpallur të zgjedhjeve të 11 majit.

“Thjesht dhe strikt për procedurë, ne kemi paraqitur rastet në Kolegj, të bindur se ai do i qëndrojë me besnikëri të madhe partisë shtet. Opozita ndodhet para frontit më të gjerë dhe më të vështirë të betejës në tërë ekzistencën e saj,” u shpreh kryedemokrati.

Megjithatë, vëmendja kryesore e Sali Berishës duket se është tek kampi kundërshtar, aty ku Edi Rama po përgatit listën e ministrave të ardhshëm. Kjo gjë u duk qartë në komentet e kreut të opozitës, që zbuloi këtë detaj.

“Priten përleshje të mëdha midis tyre, kush të marrë Ministrin e Brendshëm. Troplinët me Agasin janë për Vlora Hysenin. E keni marrë vesh besoj. Të tjerë janë për atë Dyrmishin. Ata e lanë Arkend Ballën dhe duan Vlorën tani. Këta të Elbasanit nuk heqin dorë nga Taulanti. Tani, betejat po zhvillohen midis klaneve, karteleve të drogës,” tha Berisha.

Ankesa e opozitës do të shtyjë edhe disa ditë shpalljen e dekretit nga Presidenti Begaj, i cili duhet të presë certifikimin e plotë të zgjedhjeve nga institucionet dhe më pas të nxjerrë dekretin për thirrjen e parlamentit të ri. Por, sipas ekspertëve ligjorë, një nga datat e para të thirrjes së Kuvendit mund të jetë 12 shtatori.

Gazetare: j.k. / Sonila Agostini

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme