Rama: Së shpejti krijohet Operatori Kombëtar i Shpërndarjes së Ujit, plan masash për të ndaluar abuzimet

Së shpejti do të krijohet Operatori Kombëtar i Shpërndarjes së Ujit.
Lajmi është bërë me dije nga Kryeministri Edi Rama, i cili sqaroi se struktura e re do të ketë në fokus menaxhimin e të gjitha burimeve ujore në vend, me qëllim garantimin e një efikasiteti më të lartë të sektorit dhe shërbim cilësor për të gjithë abonentët.
Rama theksoi se fragmentimi në 58 ndërmarrje i sistemit të shpërndarjes së ujit, në emër të decentralizimit, ishte një katastrofë e vërtetë.
“Kemi pasur një trashëgimi shumë dramatike në sektorin e ujit, sektor që kërkon investime të mëdha dhe administrim të përgjegjshëm. Borxhet e larta, paaftësia në menaxhim e lidhur dhe me politizimin ekstrem të burimeve njerëzore në këto ndërmarrje, mungesa e ekspertizës e shoqëruar me mungesë të investimeve në mirëmbajtje, sollën situata shumë të pajustifikueshme.
Paralelisht, ne, nga ana jonë, kemi bërë investime masive. Po të shohim hartën sot, nga 4 zona që furnizoheshin me ujë 24 orë në 2013 dhe humbje në rrjet që shkonin 65–70%, kemi panoramë tërësisht ndryshe, por kemi sfidë tjetër. Duam të shkëlqejmë në turizëm dhe volumi i kërkesës për ujë në sezonin e pikut rritet në mënyrë marramendëse dhe kapaciteti për furnizim është i pamjaftueshëm. Niveli i paaftësisë në pushtetin vendor në pika të caktuara është i frikshëm,” deklaroi Rama.
Në kuadër të kësaj faze të dytë reforme, Kryeministri paralajmëroi një plan masash për të ndaluar abuzimet me ujin. Ai deklaroi se target do të jenë abuzuesit me lidhje të paligjshme nën tokë. Për këta të fundit, kryeministri theksoi se duhet të penalizohen me heqje lirie.
“Nga faza e parë janë lidhur në rrjet 100 mijë përdorues të rinj dhe janë prerë një numër i konsiderueshëm lidhjesh të paligjshme. Sa i përket reformës [në fazën e dytë] jemi të qartë çfarë do të bëjmë nga prodhimi, te shpërndarja, furnizimi sikurse bëjmë me energjinë. Ama nga ana tjetër, sikurse me energjinë, do të ndërhyjmë me një plan masash për të ndaluar abuzimet.
Ndryshe nga energjia, këtu nuk jemi në kushtet që kemi qytetarët që abuzojnë, por jemi në kushtet kur kemi abuzues për qëllime fitimi, abuzues me lavazhe nëpër lagje, abuzues me ujë që derdhet rrugëve kombëtare në pika të ndryshme, abuzues me lidhje të paligjshme nën tokë që do jenë target i planit të masave, që shumica dërrmuese e qytetarëve që paguajnë ujin të marrin shërbim të drejtë.Njësoj si me energjinë, ka ardhur koha, që ne të bëjmë me këtë operator kombëtar, që do jetë sinergjia e 15 shoqërive ekzistuese dhe me organet e tjera ligjzbatuese vendosjen e vijës së kuqe, që bashkitë fatkeqësisht nuk e vendosën asnjëherë. Ai që vjedh ujin duhet të penalizohet me heqje lirie siç ndodhi me ata që vodhën energjinë elektrike,” njoftoi Rama.
Po ashtu, kreu i qeverisë njoftoi se ka ardhur koha që të procedohet me planin e heqjes së depozitave të ujit mbi pallate.
“Kjo është koha për të filluar punën me planin e heqjes së depozitave që janë kthyer në pesha të jashtëzakonshme mbi pallate të ndërtuara ku e ku më parë dhe mund të bëhen burim katastrofash,” përfundoi ai.
Zëvendëskryeministrja, njëherësh Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, tregoi se faza e tretë e reformës në sektor do të nisë në 2027-ën, kur ujësjellës-kanalizimet do të ketë një ndarje të qartë mes prodhimit, shpërndarjes dhe furnizimit me ujë, sipas modelit të reformës në sektorin e energjisë elektrike.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




