Marrëveshje bashkëpunimi ndërmjet Policisë së Shtetit dhe Rezidencës Studentore Universitare Nr. 1

Ditën e sotme, në ambientet e Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, Drejtori i Përgjithshëm Drejtues Madhor, Ilir Proda, nënshkroi një marrëveshje bashkëpunimi me Drejtorin e Përgjithshëm të Shoqërisë “Rezidenca Studentore Universitare Nr. 1”, Olsi Shahini, në funksion të akomodimit sa më cilësor të studentëve që ndjekin Akademinë e Sigurisë.
Marrëveshja, në prag të vitit të ri akademik, synon të promovojë kushte sa më të mira studimi, konform standardeve europiane, nëpërmjet akomodimit të studentëve në ambientet e “Rezidencës Studentore Universitare Nr. 1”. Ky akt ka si objekt pagesën e tarifës mujore nga Akademia e Sigurisë e Policisë së Shtetit për akomodimin e studentëve në këtë rezidencë.
Drejtori Proda theksoi gjatë nënshkrimit të marrëveshjes se ky bashkëpunim do të jetë një ndihmë e madhe për studentët e Akademisë së Sigurisë, si dhe një formë mbështetjeje dhe inkurajimi në rrugëtimin e tyre për t’u bërë punonjës policie.
Ndërkaq, z. Shahini falënderoi Drejtorin për bashkëpunimin dhe theksoi se subjekti që ai drejton do të bëjë më të mirën, në mënyrë që studentët e Akademisë së Sigurisë të kenë ambiente të përshtatshme, të cilat plotësojnë nevojat e tyre studentore.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




