“Kodi i ri Zgjedhor në favor të PS”, deputetja Flutura Açka akuza lidershipit të PD për marrëveshje me PS

Politikë | 1 vit më parë

Deputetja e Partisë Demokratike, Flutura Açka, ka shfrytëzuar foltoren e Kryesisë së Kuvendit për të bërë disa deklarata politike, ndërsa prezantoi edhe librin e saj të ri të titulluar “Para se të iki”.

“Përmblodha në këtë libër, që e kam titulluar ‘Para se të iki’, dhe sot e paraqes para shqiptarëve në shenjë respekti dhe mirënjohjeje ndaj tyre,” u shpreh deputetja demokrate.

Gjatë fjalës së saj, znj. Açka akuzoi opozitën se me votimin e Kodit të ri Zgjedhor më 11 maj i dhuroi mazhorancës një fitore të pastër, duke u shtuar socialistëve 12 mandate në Kuvend.

“Sipas meje, ne jemi ndëshkuar nga shqiptarët, mes të tjerash, për amoralitetin e marrëveshjes së Kodit Zgjedhor që u gatua këtu në Parlament. Opozitarët që e votuan Kodin Zgjedhor në fakt shkatërruan mundësinë për fitore të Partisë Demokratike dhe ia lehtësuan fitoren Edi Ramës, madje i dhuruan me Kod fitoren Edi Ramës me plot 12 mandate në Parlament,” tha znj. Açka.

Ajo shtoi se pasojat e këtij Kodi u reflektuan te partitë e vogla, si ajo e Adriatik Lapajt, ku gara e drejtë nuk u lejua.

“U lektisëm duke qeshur me telenovelën e dajove dhe tezeve, kur të gjithë e dimë qëllimin e mirë të listës së dajove dhe tezeve, garën e barabartë që nuk iu lejuar partive të reja as në lista, as në performancë, as në llogarinë e votave,” deklaroi deputetja.

Deputetja theksoi se ujdia nisi që në vitin 2023, kur Partia Demokratike i dha grupin parlamentar “Rithemelimit”, duke i hapur rrugën një opozite të dobësuar dhe një fitoreje të thellë për kryeministrin Edi Rama.

“Të gjitha këto u bënë për t’i hequr mendjen shqiptarëve dhe ndërkombëtarëve nga ujdia e fshehtë që nisi në shtator të vitit 2023 me dhënien nga mazhoranca parlamentare, në shkelje të hapur të ligjit, të drejtimit të grupit parlamentar, Rithemelimit,” u shpreh ajo.

Në përfundim, znj. Açka deklaroi se i ishte bashkuar Partisë Demokratike për t’i shërbyer demokracisë dhe jo për karrierë, ndërsa theksoi se e ardhmja e opozitës varet nga një riformatim i saj dhe nga besimi i qytetarëve.

Gazetare: Rugova Dunisha

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme