Balluku: Çmimi i kalimit në tunelin e Llogarasë, 250 lekë për autoveturat

Një kalim për autoveturat në Tunelin e Llogarasë do të kushtojë 250 lekë bashkë me TVSH.
Lajmi u bë i ditur nga Ministrja e Energjisë dhe Infrastrukturës, Belinda Balluku, e cila shtoi se çmimi është përcaktuar pas një analize të thellë të kostove operacionale, duke saktësuar se nuk bëhet fjalë për shifra të ndryshme që janë përhapur si, për shembull, 5, 10 apo 50 euro.
Lidhur me kategoritë më të mëdha të automjeteve, si autobusët dhe trajlerat, do të kenë çmime të veçanta, të përcaktuara sipas studimeve të vizibilitetit dhe ndikimit të tyre në infrastrukturë.
“Janë 1 milion automjete në tre muaj në tunelin e Llogarasë. Tuneli është i pajuar me një qendër monitorimi të plotë dhe ka njësinë e zjarrfikëse një ndër më modernet në rajon. Përmes një analizë të gjerë, të thellë, të kostove operacionale, çmimi i një kalimi në tunel për autoveturat është 250 lekë me TVSH, as 10 euro, as 5 euro, as 50 euro, se kemi dëgjuar shifra nga më të ndryshmet. Kategoritë më të mëdha si autobusët, trajlerat do kenë çmime të posaçme sipas këtij studimi vizibilitetit”, tha Balluku.
Tuneli i LLogarasë do të funksionojë pa pagesë deri në mbyllje të sezonit veror, për t’iu nënshtruar më pas kalimit me tarifën prej 250 lekësh me TVSH.
Tuneli i LLogarasë ka një gjatësi prej 5.9 kilometrash, duke shkurtuar distancën nga Dukati në Palas në 7 minuta si dhe është bërë edhe “porta hyrëse” e turistëve dhe pushuesve drejt rivierës në jug të vendit.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




