Kampionat ndërkombëtar masazhesh, fizioterapistë e estetistë mblidhen më 14 shtator në Shkodër
Për herë të parë në Shqipëri do të zhvillohet një kampionat ndërkombëtar i masazheve, që do të mbahet në kryeqendrën e veriut, me mbështetjen e Bashkisë Shkodër.
Aktiviteti do të sjellë në qytet fizioterapistë dhe estetistë nga vende të ndryshme, duke e kthyer qytetin në epiqendër të këtij eventi të veçantë.
“Në fakt, është një kampionat që zhvillohet për herë të parë në Shqipëri, që do të thotë që është një event historik për të gjithë profesionistët e Shqipërisë, dhe ku më mirë se në qytetin e Shkodrës, i cili është qyteti i artit dhe kulturës. Pjesëmarrësit aktualisht janë 70 persona dhe vijnë nga shtete të ndryshme: nga Zvicra, Franca, Italia, Greqia, Kanadaja dhe vende të tjera. Kemi nga Kosova, Maqedonia dhe patjetër nga qytetet e Shqipërisë,” tha organizatorja Vitjola Petani.
Ky kampionat synon jo vetëm të promovojë profesionistët e fushës së masazhit dhe estetikës, por edhe të sjellë një frymë të re bashkëpunimi dhe shkëmbimi eksperiencash mes pjesëmarrësve.
“Qëllimi është të promovojmë terapinë manuale, t’i tregojmë të gjithëve se sa e rëndësishme është të jesh profesionist në teknikën e masazhit, në fizioterapi dhe patjetër të promovojmë profesionistët”, shprehet Petani.
Eventi i 14 shtatorit pritet të tërheqë vëmendjen e publikut dhe të kontribuojë në promovimin e Shkodrës si një qytet mikpritës për aktivitete ndërkombëtare.
Gazetar: Marjo Gjini
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




