Frenohen ndërtimet në tremujorin e dytë. Nuk ndryshon numri i lejeve, por ulet sipërfaqja për ndërtim

Ekonomi | 1 vit më parë

Sektori i ndërtimit në Shqipëri po kalon një fazë kontrastesh, që mund të lexohet si sfidë, por edhe si mundësi për zhvillim.

Sipas të dhënave të INSTAT, në tremujorin e dytë të 2025, u miratuan 352 leje për ndërtesa të reja, një numër pothuajse i pandryshuar nga një vit më parë.

Megjithatë, sipërfaqja e parashikuar për ndërtim ra ndjeshëm me 67%, ndërsa vlera e projekteve të miratuara u ul me 45,5%, duke zbritur në 18,4 miliardë lekë. Pjesën kryesore e përbëjnë ndërtimet për banim, me mbi 270 leje. Qarqet Durrës, Korçë dhe Shkodër shfaqën rritje të ndjeshme në vlerë, duke treguar një dinamikë të re jashtë kryeqytetit.

Në të njëjtën kohë, kostot e ndërtimit për banesa vazhdojnë të lëvizin në kah rritës, por me ritëm më të moderuar. Indeksi i kushtimit në ndërtim arriti në 113,5, me një rritje vjetore prej 1,1%, ndjeshëm më e ulët se 2,5% e vitit të kaluar. Rritja më e madhe u shënua tek shpenzimet për paga, me 6,2%, ndërsa çmimet e materialeve të ndërtimit shënuan një ulje të lehtë me 0,7%.

Ngadalësimi i lejeve si dhe ulja e sipërfaqeve mund të sinjalizojnë një rregullim të tregut pas viteve të bumit të ndërtimit. Në të kundërt, stabilizimi i kostove është një lajm pozitiv si për ndërtuesit, ashtu edhe për konsumatorët, duke krijuar hapësirë për projekte më të qëndrueshme dhe të shpërndara në të gjithë territorin e vendit.

Gazetar: Omer Saraçi

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme