Misionarët e bamirësisë, meshë për humanisten. Në Korçë çelet ekspozita filatelike për Shën Terezën

Aktualitet | 1 vit më parë

Një meshë e shenjtë u mbajt në Shkodër pranë Qendrës së Misionit të Motrave të Nënë Terezës, e themeluar nga vetë shenjtorja në fillim të viteve ’90.

Jeta e shenjtores mbetet frymëzim për njerëzimin dhe në Qendër marrin aktualisht shërbim mbi 50 persona me aftësi të kufizuara.

Në predikimin e tij, famullitari i Argjipeshkvisë Shkodër-Pult, Dom Vlash Palaj, theksoi se jeta dhe misioni i Nënë Terezës mbeten një frymëzim i përhershëm për dashurinë, përkushtimin dhe mbështetjen ndaj njerëzve në nevojë.

“Kemi një privilegj jashtëzakonisht të madh të jemi sot rreth altarit të Krishtit, së bashku me të gjithë këta fëmijë e të rinj, të cilëve Nënë Tereza u jepte një përparësi absolute,” tha Dom Vlash Palaj.

Në përvjetorin e nëntë të shenjtërimit të Nënë Terezës, edhe në Pazarin e Vjetër të Korçës u çel një ekspozitë filatelike nga koleksionisti Mirgen Shamblli.

Koleksioni sjell pulla postare, zarfe dhe kartolina të lëshuara pas viteve ’90 e deri më sot. Ndër materialet më të veçanta, z. Shamblli veçon një kartëvizitë origjinale të Nënë Terezës, e cila mban edhe mbishkrimin e saj.

“Është një kartëvizitë-mesazh e Nënë Terezës, që e kam gjetur kohët e fundit. Është shumë interesante, sepse përmban një mesazh paqeje nga Nënë Tereza,” u shpreh koleksionisti.

Ekspozita përkujtimore me rastin e përvjetorit të shenjtërimit të Nënë Terezës, në “Qoshkën e Koleksionistëve” u ndoq me interes nga të gjitha grupmoshat.

Gazetar: Ardian Hoti, Eftjola Fili

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme