Panairi mbarëshqiptar i suvenireve në Sarandë për të 13-tin vit radhazi
Këtë fillim shtatori, Saranda u bë për të 13-tin vit radhazi, pritëse e Panairit të suvenireve turistike të punuara me dorë dhe me qasje mjedisore.
Mbrëmjen e djeshme shiritin e këtij edicioni e preu Nënkryetari i Bashkisë së Sarandës, Florjan Sali dhe drejtori Ekzekutiv i Agjencisë Joniane të Masmedias, Mjedisit dhe Informacionit, Shkëlqim Hajno.
“Është një aktivitetet që bëhet për të 13-tin vit në Sarandë dhe mirëpritet nga të gjithë pushuesit e qytetit. Bashkia ka qenë gjithmonë partneri kryesor i këtij aktiviteti dhe ky aktivitet plotëson dhe shton argëtime dhe gjatë sezonit veror”, u shpreh Sali.
“Kemi një numër jo të vogël artizanësh që kanë ardhur nga Kosova, Prishtina, Gjakova, Prizreni duke sjellë dhe prurje të reja. Nuk mungojnë as artizanët e Sarandës. 90% e artizanëve që marrin pjesë në këtë event janë gra e vajza”, u shpreh Hajno.
Një pistë e shëtitores buzë detit në Sarandë iu rezervua artizanëve vendas e atyre të ardhur nga qytete të ndryshme Shqipërisë, si dhe atyre të ardhur nga hapësira mbarëshqiptare.
“Është hera e 13-të që marr pjesë në këtë panair dhe pritja ka qenë shumë e mirë. Ne përfaqësojmë Shoqatën e Artizanëve “Medica Gjakova” dhe prezanton punime tipike gjakovare me punë dore”, u shpreh artizania Taipe Gushaj.
“Është viti i tretë që marr pjesë dhe përfaqësojë artin e karikaturës. Ndjej ngrohtësinë e turistëve, komunikimin dhe energjinë që ka Saranda”, tha karikaturisti Endri Beqo.
Panairi i 13 të i Sarandës, sot ishte në ditën e dytë, ku pjesëmarrësit u vlerësuan me certifikata dhe Çmime. Me çmimin e parë të këtij edicioni u vlerësua artizania mirditore Taipe Gushaj.
Si pjesë e agjendës së Panairit, pjesëmarrësve iu ofrua edhe një shëtitje me anije turistike në Gjirin e Sarandës.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




